TIRANË – Opozita ka braktisur punimet e seancës së sotme të Kuvendit, pas debateve të shumta që nisën pas shpalljes së vendimit të dhënë nga gjykata për “21 janarin”. Deputetët e opozitës reaguan me replica dhe debate, sapo u mësua se të akuzuarit Ndue Prendi dhe Agim Llupo u shpallën të pafajshëm.

Pak para se opozita të linte sallën, deputeti i PS-së, Saimir Tahiri dhe ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, u përfshinë në replika. Tahiri njëkohësisht pati shkëmbim replikash me kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, e cila theksoi se kur drejtësia flet të gjithë duhet të heshtin.  Sipas saj, opozitarët janë të ‘paburrë’, pasi i nxorrën në bulevard për t’i vrarë demonstruesit dhe vetë ikën.

Reagimi i Tahirit në Kuvend

Deputeti i PS-se, Sajmir Tahiri ka reaguar ashpër pas vendimit të pafajësisë për të akuzuarit e 21 janarit. “Sot u keni treguar shqiptarëve se nuk ka drejtësi, sot u keni treguar shqiptarëve se pushteti merr guxim të të vjedhë e të vrasë, u keni treguar se është e rrezikshme e të kushton kokën të kesh të drejtë kur pushteti ka gabim. Sot i vratë përsëri”,- tha ai.

Më tej ai i është drejtuar kryetares se Kuvendit, e cila i tërhoqi disa herë vëmendjen se ishte jashtë rendit të ditës.

“Meqë jeni te projektligji i statistikave, meqë ju zonjë na kujtuat se juve si nënë si grua na ftuat të votonim tre ligjet nuk kam forcë dhe unë si qytetarë si babë, bashkë me kolegët e mi, s’kam forcë dhe s’kam ndër mend ta bëjë tu kërkojë të hapni sytë ua kujtoj juve, e pastaj ju them, atij Agim Llupës, atij, Ndrea Prendit nuk do shpëtoni pa drejtësi, në emër të familjarëve të Aleks Nikaj, Veizit, Myrtaj dhe Dedës, ju them se askush nga këta nuk do shpëtojë pa drejtësi, ne sot nuk kemi asnjë punë me këtë kuvend”,- tha Tahiri.