TIRANE – Në Tiranë po përkujtohet sot 2-vjetori i ngjarjeve tragjike të 21 janarit. Në heshtje, me lule dhe kurora nisi në bulevardin "Dëshmorët e Kombit" manifestimi homazh i organizuar nga opozita, në nderim të katër viktimave që humbën jetën në protestat e 21 janarit 2011. 

Familjarët e katër viktimave të 21 janarit të ndjekur nga dhjetëra mbështetës dhe qytetarë nga mbarë vendi nisën marshimin në heshjte nga selia rozë, pikërisht vendit ku nisi edhe protesta e 2 viteve më parë, në drejtin të bulevardit “Dëshmorët e Kombit”. Kortezhi, i cili udhëhiqej nga persona që mbanin në duar fotografitë e katër viktimave iu drejtua bulevardit “Dëshmorët e Kombit”. Kreu i opozitës dhe drejtues të PS-së shoqëruan kortezhin. 

Me lule Kortezhi marshoi drejt vendit ku u vranë Ziver Veizi nga Gjirokastra, Faik Myrtaj nga Fieri, Hekuran Deda i ardhur nga Kalaja e Dodës për të jetuar në Laknas të Tiranës dhe Aleks Nikaj nga Kolshi i Lezhës. Nën tingujt e muzikës funebre qindra njerëz, për rreth 1 orë, kaluan heshtje, para fotografive të 4 viktimave. 

21 janari, mbështetës të PS-së në rrethe drejt Tiranës

Mbështetës të Partisë Socialiste nga të gjitha qytetet e vendit janë nisur drejt Tiranës, për të marrë pjesë në tubimin homazh të organizuar nga opozita në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, për të përkujtuar katër viktimat e demonstratës së 21 janarit. 

Mbi 300 protestues opozitare nga Elbasani janë nisur mëngjesin e sotëm drejt Tiranës, ku do të marrin pjesë në marshimin e heshtur të opozitës. Kreu i PS-së së Elbasanit, Astrit Halili deklaroi se për simpatizantët e PS-së nga Elbasani janë vënë në dispozicion autobusë, ndërsa një pjesë e mbështetësve janë organizuar në mënyrë private. 

Ndërkohë nga qyteti i Durrësit janë nisur drejt Tiranës 15 autobusë me 750 persona. Nga Korça pritet të mbërrijnë në kryeqytet rreth 200 mbështetës të PS-së, të cilët janë nisur me 3 autobusë dhe furgona të linjës Tiranë-Korçë. . 

Opozita nis marshimin homazh nga selia rozë

PS-ja nisi nga selia rozë marshimin homazh, pikërisht nga aty ku nisi edhe protesta e 2 viteve më parë. Njerëzit po marshojnë në heshtje drejt bulevardit kryesor të Tiranës, për të qëndruar më pas para kryeministrisë. Aty jenë vendosur 4 fotot e të vrarëve të 21 janarit, Hekuran Deda, Ziver Veizi, Faik Myrtaj dhe Aleks Nikaj. Bashkë me deputetët e drejtuesit e opozitës janë edhe familjarët e 4 të rënëve. Gjatë gjithë kohës marshimi shoqërohet në sfond me muzikë funebre. 

Me të mbaruar homazhet, një tjetër aktivitet pritet të nisë, në kinema “Millenium”. Aty do të shfaqet një dokumentar me gjithçka ndodhi në 21 janar. Ky është një dokumentar, CD-ja e të cilit iu dha edhe ambasadorëve të huaj, pas 21 janarit. Aty shfaqen të gjitha pamjet e protestës, së bashku me momentet tragjike të 4 vrasjeve. Por gjithashtu janë edhe deklaratat e ambasadorit amerikan, Aleksandër Arvizu, si edhe fakte të tjera që PS-ja i ka ruajtur me fanatizëm, së bashku me komentet e saj mbi atë ngjarje. Në përfundim edhe të këtij aktiviteti, deputetë dhe drejtues të PS-së do të shpërndahen për të kryer vizitat e ngushëllimit në familjet e 4 protestuesve që tashmë nuk jetojnë më. 

Vijon në heshtje marshimi drejt sheshit përpara Kryeministrisë

Kortezhit që u nis në orën 11:00 nga selia rozë, iu bashkuan qytetarë të shumtë me lule e kurora në duar. Organizatorët e protestës homazh kanë marrë masa për të orientuar kortezhin. Kulmi i homazheve do të jetë në vendin ku u vranë katër viktimat e 21 janarit. Persona me shirit të zi në krah, koordinojnë qytetarët, në mënyrë që të gjithë të nderojnë viktimat. Në mes të turmës dallohet kreu i PS-së, deputetë e përfaqësues të Partisë Socialiste. 

Kortezhi nderon 4 viktimat në Bulevard

Në heshtje, me lule dhe kurora, qindra qytetarë janë afruar në vendin ku janë vrarë 4 protestuesit, Faik Myrtaj, Aleks Nika, Ziver Veizi, Hekuran Deda, para kryeministrisë. Kortezhi i kryesuar nga familjarët e viktimave vendosi lule në katër fotografitë e mëdha të viktimave. Kortezhi kujton në heshtje viktimat dhe kalon rreth fotografive në shenjë respekti. Kreu i PS-së, Edi Rama vendosi nga një karafil te kuq në fotografitë e secilit nga të vrarët. 

 

Dokumentar per 21 janarin

Me të mbaruar homazhet, një tjetër aktivitet pritet të nisë, në kinema “Millenium”. Aty do të shfaqet një dokumentar me gjithçka ndodhi në 21 janar. Ky është një dokumentar, CD-ja e të cilit iu dha edhe ambasadorëve të huaj, pas 21 janarit. Aty shfaqen të gjitha pamjet e protestës, së bashku me momentet tragjike të 4 vrasjeve. Por gjithashtu janë edhe deklaratat e ambasadorit amerikan, Aleksandër Arvizu, si edhe fakte të tjera që PS-ja i ka ruajtur me fanatizëm, së bashku me komentet e saj mbi atë ngjarje. Në përfundim edhe të këtij aktiviteti, deputetë dhe drejtues të PS-së do të shpërndahen për të kryer vizitat e ngushëllimit në familjet e 4 protestuesve që tashmë nuk jetojnë më.