TIRANE– Përfaqësues të shoqërisë civile, lëvizjes ‘Mjaft’, por edhe qytetarë të thjeshtë protestuan ditën e sotme para gjykatës së Tiranës, për vendimin e pafajësisë që dha trupa e këtij institucioni për të akuzuarit e katër viktimave të 21 janarit 2011.

Disa nga personat që morën fjalën gjatë kësaj proteste theksuan se drejtësia shqiptare ka dëshmuar 2 precedentë të rrezikshëm, vendimin për Gërdecin dhe 21 janarin. Sipas tyre qytetarët shqiptarë nuk duhet të lejojnë më atë që ata e quajtën “shkeljet flagrante që po i bëhen ligjit nga një qeveri, e cila po përdhos gjyqësorin”.

Një nga personat që morën fjalën gjatë protestës ishte edhe analisti Andrea Stefani i cili i bëri thirrje prokurorisë që të plotësojë më tej akuzën duke u mbështetur edhe në ekspertizën e FBI, në mënyrë që drejtësia të vihet në vend. “Pavarësia e gjyqësorit është thelbi i një sistemi me liri. Pa pavarësinë e gjyqësorit nuk ka liri në këtë vend, – u shpreh ai.

Pak ditë më parë trupi gjykues i Gjykatës së Tiranës vendosi të shpallte të pafajshëm 2 të akuzuarit kryesorë për katër të vrarët e 21 janarit, ish-gardistët Ndrea Prendi dhe Agim Llupo. Vendimi i gjykatës u prit me reagime të ashpra nga ana e opozitës, por edhe nga përfaqësitë e huaja në vendin tonë.