Që nga viti 1999, 21 marsi është shpallur nga UNESCO dita botërore e poezisë. Vendimi i marrë në kongresin e 30-të të kësaj agjencie, zhvilluar në Paris, ka si objektiv kryesor mbështetjen e diversitetit linguistik përmes shprehjes poetike. Në të njëjtën kohë, caktimi i një dite ndërkombëtare për poezinë bëhet edhe me qëllimin për t’i kthyer kësaj gjinie të letërsisë funksionin e saj të parë, traditën gojore.
Ndërsa në kohët antike, në Greqinë e lashta poemat e Homerit mësoheshin përmendësh nga aedët dhe recitoheshin kryesisht në ambiente publike tashmë duket se poezisë i ka humbur ky tipar i vet kryesor. Në këtë mënyrë UNESCO kërkon që përmes recitaleve të ndryshme, përmes takimeve poetike dhe mbrëmjeve artistike të krijojë një urë lidhjeje mes poezisë dhe formave të tjera të artit si teatri, kërcimi, muzika, piktura etj. e në të njëjtën kohë të mbështesë poetët e rinj, t’i promovojë ato dhe të krijojë një imazh tërheqës për poetin, që shpeshherë shihet si dikush që nuk është më në modë.
UNESCO kërkon që përmes recitaleve të ndryshme, përmes takimeve poetike dhe mbrëmjeve artistike të krijojë një urë lidhjeje mes poezisë dhe formave të tjera të artit si teatri, kërcimi, muzika, piktura etj. e në të njëjtën kohë të mbështesë poetët e rinj, t’i promovojë ato dhe të krijojë një imazh tërheqës për poetin, që shpeshherë shihet si dikush që nuk është më në modë
Dita botërore e poezisë është konceptuar si një ftesë për të reflektuar mbi fuqinë e gjuhës dhe zhvillimin e plotë të kapaciteteve kreative të secilit prej nesh. Për këtë arsye UNESCO bën thirrje për zhvillimin e aktiviteteve kulturore në nivel lokal e ndërkombëtar në institucione publike e private duke përfshirë këtu shkolla, bashki, muzeume, shoqata kulturore, shtëpi botuese etj. Para caktimit të 21 marsit, si dita botërore e poezisë, ishte 15 tetori që kremtohej në të gjithë botën me aktivitete të larmishme letrare, pasi ai përkonte me ditëlindjen e poetit epik romak, Virgjil. Në disa vende kjo traditë e të festuarit në muajin tetor vazhdon të ruhet ende.
Megjithëse shumë prej nesh e pëlqejnë poezinë, ose më mirë parapëlqejnë ta përdorin atë sidomos në komunikimin me personin e zemrës, poezia në ditët tona nuk lexohet më aq shumë sa vite më parë. Nëse do t’i hidhnim një sy librave të hedhura në treg nga shtëpitë botuese volumi më i madh i veprave i përket romanit, pra prozës, ndërkohë që librat me poezi janë shumë më të rrallë. Kryesisht ato në masën më të madhe i përkasin letrarëve të rinj, që gjithnjë e nisin rrugën e letrave me vjershat e para të shkruara në kohën e adoleshencës. Nuk mungojnë edhe botimet nga emra tashmë të njohur në këtë lëmë, por që janë gjithnjë e më të pakta.
Për t’u nënvizuar është dhe një fakt tjetër që vihet në dukje e pranohet si nga kritikët, por edhe nga poetët; poezi cilësore ka shumë pak. Kjo dhe për vetë specifikën e poezisë, që gjithnjë është konsideruar si një gjini më elitare sesa proza. E këtu më vjen ndër mend shprehja e poetit durrsak Aqif Hysa, kur thotë se “poezia është bijë e shpirtit dhe kur ajo del prej shpirtit, procesi është i ngjashëm me atë të lindjes, të sjelljes në jetë të një krijese të re”.
Brezi i ri kryesisht në Shqipëri është i dhënë pas leximit të romaneve të letërsisë rozë apo bestseller-ave, kjo dhe për faktin se shtëpitë botuese janë të prirura të hedhin në treg këtë lloj letërsie për të garantuar përfitimin material të tyre. Zgjidhja e vetme për ta afruar poezinë sa më shumë me masat popullore është gjetja e mënyrave interesante për t’i bërë poezitë më të prekshme nga njerëzit.
Poezitë murale të Leiden-it
Qyteti Leiden, në Holandë është zbukuruar në një masë të madhe të tij me “poezi murale”. Këto poezi janë pjesë e projektit “Poezitë dhe muret”, i cili nisi të zbatohej në vitin 1992 me një poezi të poetes ruse Marina Tsvetajeva. Kjo poemë u pasua nga shumë të tjera, ku e fundit renditet “De profundis” nga poeti spanjoll Garcia Lorca. Pikturimi apo shkrimi në mur i poezive ishte një iniciativë private e fondacionit “Tegen-Beeld” të Ben Walenkamp dhe Jan-Willem Bruins. Fondacioni në fjalë u përqendrua në lidhjen midis gjuhës dhe imazhit. Nga viti 1992 e deri në vitin 2005 plot 101 poezi u pikturuan në mure dhe meqë ato ishin shkruar në gjuhë të ndryshme, krahas pikturës origjinale është vendosur edhe përkthimi në anglisht dhe gjermanisht. Për iniciatorët e këtij projekti, pikturimi i poezive në muret e banesave e godinave të qytetit krijon impakt tek kalimtarët të cilët ndalen të lexojnë përmbajtjen e tyre. Kombinimi i ngjyrave dhe përzgjedhja e poezive është bërë nga drejtuesit e fondacionit “Tegen-Beeld”, të cilët kanë premtuar se në vitet e ardhshme kanë programuar pikturimin e të tjera poezive. Qyteti Leiden ka pasur një lidhje të hershme me poezinë, pasi në të kanë jetuar apo studiuar një numër i madh shkrimtarësh si Piet Paaltjens, J.C. Bloem, Maarten Biesheuvel, Jan Wolkers and Maarten't Hart. Për poezitë murale të Leiden-it janë shkruar artikuj të shumtë si dhe është hartuar një guidë turistike. Poemat e pikturuara në godinat e Leiden-it janë shkruar në gjuhën turke, kineze, gjermane, marokene, spanjolle, ruse etj. duke qenë dëshmi e një diversiteti të madh kulturor, por në të njëjtën kohë dhe një bashkëjetese multilinguistike.
Poezitë e rrugës
Krahas poezive murale një tendencë e re është shfaqur në shumë qytete amerikane apo australiane vitet e fundit e kjo ka të bëjë me poezitë e shkruara në rrugë. E këtu nuk bëhet fjalë të marrësh laps dhe letër e të nisësh të shkruash buzë një rruge, por me ndihmën e grafitit të nisësh të skalisësh në trotuar apo asfalt vargjet e poezisë tënde. Një gjë të tillë ka bërë autori Robert Adams i cili zgjodhi një rrugë të Melburnit për poezinë e tij. Kalimtarët që deshën ta lexonin deri në fund krijimin e Adams ju desh të përshkonin 1km. Gjithsesi ideja u pëlqye dhe shumë prej “lexuesve” u shprehën se do të donin edhe më shumë poezi të tjera nëpër rrugët e qytetit. Ndërkohë poeti Robert Adams u ka premtuar një poezi tjetër, po pa e specifikuar trotuarin e radhës, që do zëvendësojë letrën e bardhë.