Në kuadër të masave për parandalimin e aksidenteve, Policia Rrugore ka publikuar videon e një 21-vjeçari nga Fieri i cili është ndaluar nga uniformat blu pasi drejtonte automjetin me shpejtësi 162 km/h.

Kontrollet e policisë janë bërë si çdo fundjavë në rrugën interurbane Tiranë-Durrës. Radari i policisë ka kapur shoferin e ri, teksa drejtonte automjetin tip "Benz" me shpejtësi tej normave të lejuara. 

"21 vjeçari nga Fieri duke drejtuar automjetin me 162 km/h. Zbato rregullat dhe udhëto i sigurt", thuhet në reagimin e Policisë, ndërsa apelohet për respektimin e rregullave të qarkullimit rrugor.

Rruga interurbane Tiranë-Durrës shfrytëzohet vazhdimisht nga drejtuesit e automjeteve për shpejtësi tej normave të lejuara apo edhe gara shpejtësie.