Një tragjedi ndodhi mbrëmjen e së mërkurës në një apartament në Bari të Italisë, ku një i ri 21-vjeçar shqiptar u vetëvra me një plumb në kokë, pasi kishte tentuar të vriste me dy plumba në kraharor partneren e tij 18-vjeçare.
Sipas medias italiane ANSA, e reja është shtruar në reanimacion, në poliklinikën e Barit. Ajo iu nënshtrua ndërhyrjes për heqjen e plumbave dhe vijon të jetë në gjendje të rëndë. Dy të rinjtë sipas mediave fqinje ishin prindër të një fëmije të vogël.
Emrat e tyre deri më tani nuk janë bërë publikë, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave. Për ngjarjen reagoi edhe kreu i komunës Cassano Delle Murge, Davide Del Re, i cili tha se komuniteti ishte tronditur dhe nuk rezulton të ketë pasur sinjalizime për një situatë kritike të këtij rasti.





