Katër punonjës policie janë proceduar penalisht në gjendje të lirë nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore pas arratisjes nga ambientet e Gjykatës së Korçës të 21-vjeçarit Kristian Medolli.

Policët e proceduar për shpërdorim detyre janë inspektor G. S., me detyrë përgjegjës i zonave të sigurisë në Komisariatin e Policisë Korçë, inspektor F. S., me detyrë Trupë shërbimi i patrullës së përgjithshme në Komisariatin e Policisë Korçë, inspektor E. S., me detyrë Trupë shërbimi i Patrullës së Përgjithshme dhe Komisar M. J., me detyrë Shef i Seksionit të Rendit në Komisariatin e Policisë Korçë.

AMP njofton senga veprimet hetimore ka rezultuar se dy punonjësit e policisë, G. S dhe F. S. nuk kanë përmbushur detyrën funksionale duke mos zbatuar detyrimet ligjore për mënyrën e shoqërimit të personave të arrestuar apo të ndaluar. Po ashtu, rezulton se inspektor E. S. në kundërshtim me procedurat standarde të punës dhe në cilësinë e përgjegjësit të patrullave, ka bërë njoftimin vetëm të njërit prej punonjësve të patrullës për shoqërimin në gjykatë të 21-vjeçarit që do të njihej me masën e sigurisë.

Gjithashtu, në lidhje me këtë ngjarje, dyshohet se punonjësi i policisë Komisar M. J. në cilësinë e eprorit të drejtpërdrejtë dhe në mungesë të Specialistit të Rendit, në kundërshtim me ligjin nuk ka marrë masa për organizimin e shërbimeve për shoqërimin e të ndaluarit.

Kristian Medolli, i arrestuar për vjedhje, iu arratis policëve në garazhin e Gjykatës së Korçës teksa do të dërgohej sërish në qeli pasi ishte njohur me masën e sigurisë.

Por arratia e tij zgjati vetëm pak orë. Ai u kap prapë në afërsi të kishës të Shën Thanasit i fshehur në disa shkurre.