Dibër, 28 maj 2014 – Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mesditën e sotme në Dibër. Një 21 vjeçare është vrarë me armë zjarri, ndërkohë që familja e saj është përpjekur ta fshehë krimin dhe të kryejë sa më shpejt varrimin e vajzës.
Burime nga policia lokale bëjnë të ditur se ngjarja ka ndodhur në fshatin Sllovë të Dibrës. Dyshohet se 21-vjeçarja Fatmira Dushku është qëlluar për vdekje nga familjarët e saj.
Sipas policisë, familjarët e vajzës fillimisht kishin deklaruar se 21-vjeçarja kishte rënë aksidentalisht nga kati i dytë i banesës. Ata tentuan të kryenin varrimin e vajzës pa u kryer fillimisht autopsia.
Por policia parandaloi varrimin, dhe pas këqyrjes së trupit të viktimës konstatoi plagë plumbash në kraharor, çka hodhi poshtë pretendimin e familjes se 21-vjeçarja ka rënë nga ballkoni. Ekspertë të policisë po punojnë për të zbardhur ngjarjen e rëndë.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





