22 marsi 1992 ka hyrë në historinë e Partisë Demokratike si një datë me një rëndësi të veçantë, pasi për herë të parë në ato vite të pluralizimit politik partia e dalë nga protesta e studentëve të dhjetorit 1990 realizoi një fitore të thellë ndaj PS-së.

Për të kujtuar atmosferën e atyre ditëve, por edhe për të bërë një paralelizëm mes ngjarjeve të asaj kohe dhe fushatës zgjedhore të tanishme për zgjedhjet e 25 prillit, “DurrësLajm” intervistoi një nga anëtarët më të vjetër të degës lokale të PD-së, profesorin e nderuar të matematikës, Islam Alikaj.

Si një nga dëshmitarët e atyre ditëve, kur idealet për demokraci mposhtën frikën që regjimi komunist kishte brymosur në popull për 45 vite me radhë, Alikaj tregon se atmosfera ishte elektrizuese.

“Fitorja nuk erdhi kot, erdhi pas një pune të madhe. Ne ishim idealistë në atë kohë. Gëzimi shpërtheu si një vullkan në Durrës dhe kudo kishte buzëqeshje”,- kujton Alikaj.

Fitorja e demokratëve mbi socialistët u prit keq nga këta të fundit, madje ndonjëri kaloi edhe në kërcënime.

“Shumë socialistë që ishin në kryesi u vrenjtën, u egërsuan. Madje njëri pre tyre më tha: Kur ta marrim ne, do të tregohemi shumë të ashpër me ju”,- rrëfen profesori.

Në të njëjtën kohë, profesor Alikaj kujton se pas fitores, PD ndryshoi të gjithë drejtorët dhe si kriter për drejtuesit e rinj ishte përfundimi i Universitetit të Tiranës dhe njohja e një gjuhe të huaj, përzgjedhja e njerëzve me integritet dhe nga familje të respektuara në Durrës.

“Ndërrova 32 drejtorë”,- kujton Alikaj, ndërsa shton se “pjesa më e madhe e atyre që ikën ishin me shkollë partie”.

Bindjen e djathtë dhe mbështetjen e fortë për PD-në profesor Alikaj e ka trashëguar edhe tek djali i tij, Nasildi, i cili drejton grupseksionin e lagjes nr.18.

Kur bën krahasimin me periudhën e 29 viteve më parë, profesor Alikaj sheh të njëjtën atmosferë edhe tani. Pak ditë më parë, disa nga themeluesit dhe kontribuesit më të vjetër të PD Durrës në lagjen nr.18 janë takuar me kandidatin për deputet Igli Cara. Alikaj tregon se pavarësisht shumë viteve që kanë kaluar që nga viti 1990, kur ata u bashkuan për të ngritur degën dhe strukturat lokale të PD-së, besimi tek alternativa e djathtë vazhdon të mbetet e njëjtë.

“Fryma kundër Ramës është e theksuar në Shqipëri dhe veçanërisht në Durrës. Në këtë frymë pro ndryshimit dhe pro PD-së, PD po punon shumë mirë. Unë shoh që të gjitha strukturat e PD Durrës janë në aktivitet të plotë. Po punon si një motor kryqëzori, ku asnjë pjesë e tij nuk është në gjumë”,– thotë anëtari i vjetër i PD Durrës.

M.B.