19 shtator 2015 – Dhjetëra banorë të fshatit Mbrostar Ura në Fier kanë protestuar në solidaritet me familjen Meçaj, për lirimin nga burgu të 22-vjeçarit të sëmurë rëndë.
Artur Meçaj i dënuar me 5 vjet burg për “armëmbajtje pa leje”, vuan nga tumori në mushkëri dhe probleme të rënda kardiake. Familjarët kërkojnë që 22-vjecari t’i kalojë ditët e fundit pranë të afërmve në shtëpi.
E moshuara Liri Refati, gjyshja e Artur Meçajt, thotë se nipi i saj nuk është person që përbën rrezik për të tjerët, aq më pak në gjendjen e rënduar shëndetësore ku ndodhet. 70-vjecarja paralajmëron se nëse 22-vjecari nuk lirohet, të gjithë banorët e fshatit do bllokojnë rrugën nacionale Fier-Lushnje.
Reagon Drejtoria e Burgjeve
Ka reaguar dhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve. Në deklaratën për mediat sqarohet se i burgosuri Artur Meçaj është trajtuar vazhdimisht në spitalin e burgut Fier, ku pavarësisht këshillave të mjekëve për t’u shtruar, nuk ka pranuar dhe ka kërkuar të trajtohet në shtëpinë e tij. Kjo kërkesë për të cilën është vënë në dijeni gjykata dhe Prokuroria, nuk është e bazuar nga ana ligjore, shpjegon Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve. Burime brenda burgut të Fierit, thonë se me kërkesën eArtur Meçajt janë solidarizuar edhe të dënuarit e tjerë që mëngjesin e së shtunës, 19 shtator, kanë refuzuar ushqimin, transmeton "Ora News".
/portali DurresLajm/