Kryeministri Albin Kurti së bashku me ministrat e kabinetit qeveritar kanë bërë homazhe te Kompleksi “Adem Jashari” në Prekaz, në ditën e shënimit të 22-vjetorit të nisjes së bombardimeve të NATO-s, kundër Serbisë.

Kurti e ka quajtur Prekazin, vend të flijimit dhe të bashkimit.

“Tre breza të Familjes Jashari u vranë nga forcat serbe, mirëpo rënia e tyre heroike, e ngriti në këmbë popullin shqiptar, i dha hov Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe e zgjoi ndërgjegjen ndërkombëtare, e cila më 24 mars të vitit 1999 dërgoi aleancën më të fuqishme në historinë e njerëzimit kundër një shteti gjenocidal, siç ishte Serbia e (Sllobodan) Millosheviqit”, ka deklaruar Kurti, ndërsa ka thënë edhe se “drejtësia për këtë krim të Serbisë, nuk është vënë në vend.”