BERAT, 22 shkurt 2013- Kontigjenti prej 222 trupash komando, 91 prej të cilëve i përkasin repartit 10/30 të Poshnjes, që kanë shërbyer për 181 ditë në Herat të Afganistanit, ende nuk marrë pagesën e shërbimit si trupa paqeruajtëse në këtë shtet. Misioni ka nisur në fund të muajit janar të vitit 2012 dhe ka përfunduar në korrik të po këtij viti. Ndërkohë vetëm dy ditë më parë Këshilli i Ministrave miratoi një vendim për shpërblimin me 6 mijë lekë të reja në ditë, për trupat tanë ushtarakë që shërbejnë me misione jashtë vendit, në rast të zgjatjes së misionit mbi dy ditë, përveç pagës mujore të përcaktuar më parë. Sipas trupave komando, paga ditore ka qënë 81 mijë lek (të vjetra) në ditë dhe në fund të misionit çdo ushtar duhet të merrte shumën prej 14 milionë e 661 mijë lekë. Nga shuma prej 14 mln e 661 mijë lekë gjithsej, 222 komandot nuk kanë marrë ende nga 1.5 mln lekë secili.
DENONCIMI
Trupat komando, të cilat shërbejnë në repartin 10/30 të Poshnjes në Berat janë shprehur për "Gazeta Shqiptare" se paratë e misionit prej 181 ditësh duhet t'i kishin marrë sapo janë kthyer në vend, në muajin korrik të 2012-ës. Shuma totale që shteti u detyrohet ende trupave komando që kanë shërbyer në Afganistan është 333 milionë lekë, prej të cilave 136.5 milionë u takojnë 91 komandove të nisur nga reparti i Poshnjes. "Këtë shumë duhet ta kishim marrë që në muajin korrik të vitit të kaluar, kohë kur edhe përfunduam misionin e vështirë të shërbimit, në një nga zonat më të nxehta të luftës në botë, siç është Afganistani", deklarojnë ushtarakët. Të zhgënjyer, por edhe të fyer, trupat komando të repartit të Poshnjes, të cilët tashmë e quajnë veten pjesë të NATO-s, thonë se janë ankuar disa herë për këtë problem, por ende nuk kanë marrë përgjigje. "Ky problem ka të bëjë me bukën e familjeve tona, por deri tani kemi marrë si përgjigje ndaj sakrificës sonë, vetëm heshtjen dhe ndonjëherë edhe kritika për ngritjen e zërit për mosdhënien e parave që duhet t'i merrnim që 8 muaj më parë", u shprehën ata. Efektivat e repartit të Poshnjes shprehen gjithashtu, se nga komunikimi që kanë pasur me kolegët e tyre, edhe kontigjenti që ka zëvendësuar këta trupa, nuk ka marrë pagesën për misionin e tyre 6-mujor në Herat të Afganistanit.





