TIRANË, 7 gusht 2013 – Në qytetin e Durrësit, në 52 qendra votimi të vëzhguara, më 23 qershor 2013, votuan 109 persona me aftësi të kufizuara, Fondacioni Shqiptar për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara (FSHDPAK) ka publikuar më 7 gusht 2013 raportin “E drejta e votës për zgjedhësit me aftësi të kufizuara. Rezultate vëzhgimi. Zgjedhjet Parlamentare 23 qershor 2013”. Sipas autorëve, “ky raport vëzhgimi synon të sjellë informacion në lidhje me mundësitë reale që kanë personat me aftësi të kufizuara, të të gjitha kategorive, për ta ushtruar të drejtën e votës, si edhe për angazhimin e strukturave përgjegjëse për të siguruar lehtësirat e domosdoshme, konform ligjit”.
Numri real?
Raporti vë ne dukje se nuk ka shifër zyrtare se sa persona me aftësi të kufizuara janë votues. Duke iu referuar statistikave të marra nga INSTAT mbi grupmoshat e popullsisë, janë afërsisht 134 mijë persona në moshë votimi, që do të thotë rreth 97 për qind e tyre ose 6.05 për qind e popullsisë. Nëse llogarisim edhe pjesëtare të familjeve të personave me aftësi të kufizuara me të drejtë vote, rritet disa herë potenciali i tyre për të ndikuar në vendimmarrje, përmes mekanizmit të votës, thonë vëzhguesit.
Aksesi
Procesi i votimit në ditën e zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit 2013 u vëzhgua edhe specifikisht në lidhje me aksesin që ofronte ky proces për zgjedhësit me aftësi të kufizuara. 387 qendra votimi u vëzhguan nga 163 vëzhgues të FSHDPAK-ut dhe Komitetit Shqiptar të Helsinkit (KSHH), të cilët sollën informacionin e tyre nga katër qytete dhe respektivisht nga qendrat e votimit në Tiranë (n=231, 59.7 për qind), në Elbasan (n=52, 13.45 për qind), në Shkodër (n=74, 19.1 për qind) dhe në Durrës (n=30, 7.8 për qind).
Durrsakët, të sjellshëm
Në 387 qendrat e votimit të vëzhguara rezultoi se pothuajse të gjitha komisionet e votimit mbajtën qëndrim pozitiv ndaj votuesve me aftësi të kufizuara dhe specifikisht 48.6 për qind e komisioneve kanë mbajtur qëndrim normal dhe 37.0 për qind kanë qenë mikpritës, më e spikatur kjo në Tiranë dhe Durrës, ku ishte një qëndrim totalisht normal dhe pozitiv, ndërsa në Elbasan dhe në Shkodër kishte në përqindje të ulët edhe qëndrim fyes e indiferent (3.8 për qind dhe 2.7 për qind të rasteve).
Identifikimi
Ishte vetëm 15.5 për qind (n=60) e të gjitha qendrave të vëzhguara, ku zgjedhësit me aftësi të kufizuara, që votuan në to, ishin identifikuar më parë në listat e zgjedhësve. Ndër to Tirana dhe Durrësi kishin përqindje më të ulët të qendrave ku zgjedhësit me aftësi të kufizuara ishin identifikuar paraprakisht në lista me 26.7 për qind dhe 3.3 për qind respektivisht, kundrejt 40 për qind në Shkodër dhe 30 për qind në Elbasan. Gjatë procesit të vëzhgimit u evidentuan që morën pjesë në votim, në 387 qendrat e vëzhguara, në total 1403 persona me aftësi të kufizuara, ku në Tiranë votuan 620 persona, në Durrës 109, në Shkodër 330 dhe në Elbasan 344.
Objekte të papërshtatura
Në nivele të rreth 60 për qind ishin objektet me hyrje të papërshtatura në Durrës, Shkodër dhe Elbasan. Kjo tregon papërgjegjshmëri nga njësitë e pushtetit vendor për marrjen e masave paraprake, por tregon edhe se është i pamjaftueshëm një Udhëzim i vetëm nga KQZ-ja. Është e domosdoshme që ky detyrim për pushtetin vendor të përfshihet dukshëm në Kodin Zgjedhor. Nga ana tjetër përpjekja e KQZ-së për të pilotuar ndërtimin e disa rampave në objektet me qendra votimi në Tiranë, Elbasan e Shkodër, rezultoi jo shumë efektive në lidhje me standardin që ofruan këto elemente, që u ndërtuan në një kohë rekord para ditës së votimit. Rezultati do të kishte qenë më shumë në përputhje me standardet nëse do të sigurohej koha e mjaftueshme dhe do të përdorej bashkëpunimi me ekspertë të fushës.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





