10 persona janë proceduar si pasojë e protestave në Korçë, ku mes tyre është edhe Edmond Spaho.

“Këta shtetas ditën e djeshme, janë organizuar dhe kanë zhvilluar një protestë në hyrje të qytetit të Korçës, e cila më pas ka kaluar edhe në zona të tjera të qytetit, ku kanë penguar qarkullimin e automjeteve dhe gjatë thirrjes së policisë për zhbllokimin e rrugës, këta shtetas kanë kundërshtuar dhe nuk i janë bindur urdhrit të punonjësve të policisë”, thuhet në njoftimin e policisë së Korçës.

Të proceduar si pasojë e protestave ka pasur edhe në Lushnje. Policia ka njoftuar se 13 janë në procedim penal, pasi “ditën e djeshme në vendin e quajtur “Pushimi i shoferit”, kanë bërë bllokimin e aksit rrugor Fier-Lushnjë, duke mos lejuar qarkullimin e mjeteve nga të dy senset e lëvizjes”.

Qytetarët protestojnë prej 3 ditësh duke kundërshtuar rritjen e çmimeve të naftës dhe produkteve ushqimore. Një ditë më parë Policia e Shtetit njoftoi për 30 të arrestuar në Tiranë, Durrës e Milot si pasojë e tubimeve dhe bllokimeve të rrugës.