Kjo është Molly McLaren, një studente 23 – vjeçare, e cila një ditë më parë u vra brutalisht në parkingun e një qendre tregtare në Kent të Anglisë.
Dëshmitarët thanë e reja ndodhej brenda makinës e saj, kur u sulmua. Ajo mësohet se kishte ulëritur dhe i kishte rënë borisë së makinës për ndihmë.
Autoritetet arrestuan në vendngjarje të dashurin e McLaren, 25 – vjeçarin Joshua Stimpson dhe aktualisht ai është i dyshuari kryesor për vrasjen e të resë.
McLaren, studente në Universtitetin e Kent, ishte e ulur në sediljen e pasme të një Citroeni C1 të zi, kur u sulmua rreth orës 11 të paradites.
Siç shkruan e përditshmja “DailyMail”, dëshmitarët thanë se autori e kishte mbyllur atë brenda në makinë dhe më pas i preu asaj fytin, ndërkohë që 23 – vjeçarja i binte borisë dhe ulërinte për ndihmë.
Policia tha se e reja kishte marrë plagë të rënda dhe vdiq në vendin e ngjarjes.
McLaren dhe Stimpson ishin bashkë që prej vitit të shkuar, lidhje të cilën e kishin bërë publike edhe në rrjetet sociale.
Dëshmitarë të shumtë thanë se fillimisht kishin dëgjuar borinë e makinës e më pas thirrjet për ndihmë, por duke qenë një parking i madh dhe i mbushur me makina nuk mund të shihnin se çfarë po ndodhte brenda mjetit.
Ata më pas panë momentin kur policia arrestoi 25 – vjeçarin, i cili ishte i mbuluar në gjak.
Mbetet e paqartë se çfarë mund ta ketë shtyrë të riun për të marrë këtë akt ekstrem dhe do të jenë hetimet ato që pritet të zbardhin këtë ngjarje të rëndë./tvklan