Tiranë, 12 qershor 2014 – Që në orën 19:30 të ftuarit nisën të mbushin lulishten e Muzeut Kombëtar, ku po zhvillohet ceremonia festive me rastin e 23-vjetorit të Partisë Socialiste. Pas shfaqjeve të pamjeve të ndryshme, arritjeve të PS-së, fitores së zgjedhjeve të 23 qershorit me video-projeKtor, mori fjalën e rastit kryeministri Rama, i cili i kushtoi jo pak vëmendje mungesës së kreut të PD-së Basha, në kô7të festë.
Sipas tij, mazhoranca dhe opozita nuk duhet të jenë më pjesë e një lufte të ftohtë tashmë që vendi synon t'i bashkohet BE. Rama shtoi se ai do marrë pjesë në festën e PD-së, nëse i vjen një ftesë.
Në festë ishte i pranishëm edhe Ben Blushi, ndërsa nga opozita merrte pjesë deputeti Tritan Shehu.
RAMA: NUK NA TAKON TE NDAHEMI NEPER FESTA, BASHA HUMBI NJE DOLLI
Që në nisje të fjalës së tij, Rama e cilësoi këtë përvjetor të rëndësishëm, pasi i gjen socialistët dhe progresistët e dalë nga e njëjta çati, të bashkuar, siç tha ai.
“Sot nuk dua te flas për të shkuarën por s’mundem ta filloj fjalën veçëse duke u nisur nga e shkuara. Kjo ditëlindje na gjen nën drejtimin e vendit falë mbylljes me sukses të ndasisë me të shkuarën. Mbyllëm kapitullin e ndarjes dhe hapëm kapitullin e bashkimit. Në këtë ditë të shënuar të vitit të 23-të, të gjithë ne si dhe progresistët fjalën ia kushtoj bashkimi,. Është ditë për të gjithë ne, nuk jemi në një parti, por themeluesit e LSI u lindën dhe rritën në këtë shtëpi të madhe të së majtës europiane. Askush ndër ne nuk mungon se është i ftuar, çdo i ftuar ndjehet në festën e vetë. Pas pësimesh dhe mësimesh që na mësuan për të mësuar si të ndihmojmë Shqipërinë dhe shqiptarët më ndihmuan mua dhe Ilirin të gjejmë brenda vetes fuqinë për bashkim kundër rrënimit ku e rrokullisi vendin qeverisja e së djathtës. Falë këtij bashkimi që solli fitoren dhe i riktheu popullit të drejtën të qeveriset nga shumica e zgjedhur fitoi dëgjim zëri i qytetarëve”, tha Rama.
Teksa komentoi mungesën e kreut të opozitës, Lulzim Basha, Rama tha se po të ishte i pranishëm do ngrinte edhe një dolli për të, meqë sot ka 40-vjetorin e lindjes. Kreu i qeverisë dhe PS-së apeloi t’i jepet fund luftës së ftohtë në politikë, ndërsa u shpreh se ai vetë do merrte pjesë në festën e PD-së, nëse do të ftohej.
“Nëse do na kishin nderuar me pjesëmarrjen do ishim të gëzuar, do ngrinim një dolli edhe për Bashën, ka lindur në një datë të shënuar, por shpresojmë të jemi sëbashku vitin tjetër. Ditëlindja ime nuk përkon me ditëlindjen e PD-së, por nëse më ftojnë do shkoj me kënaqësi në festën e tyre, edhe pse s’do kem fatin të ngrihet një dolli për ditëlindjen time. Nuk është shenjë për tu bashkuar me PD por edhe të ndarë nëpër festa modeste nuk shkon më. Nuk shkon më asnjë ndarje demokratike, të jetohet mes nesh si një luftë e ftohtë vëllavrasëse në kohë që synojmë ti bashkohemi BE”, u shpreh kryeministri.
“Është dita për të nënvizuar se kjo e jona nuk është histori ëngjëjsh nga njëra anë e djajsh nga ana tjetër”, tha Rama më tej duke rikujtuar se ndarjeve klasore të kohës së diktaturës iu ka ikur tashmë koha.
Kryeministri theksoi se kjo mazhorancë do t’i japë Shqipërisë dinjitet të plotë në marrëdhëniet ndërkombëtare. Duke iu referuar vendimit të pritshëm të BE-së lidhur me statusin kandidat, Rama tha: “Uroj nga zemra që statusi do të vijë jo si një medalje për ta varur në qafë një palë dhe për t’i nxjerrë gjuhën palës tjetër, por si shtysa e një fillimi të ri për të futur Shqipërinë në BE”.
Sipas kryeministrit, “Shqipëria sot ka filluar të thotë atë që bën, sepse kjo aleancë qeverisëse bën atë që thotë”.
Në përfundim shefi i qeverisë shprehu mirënjohje për të gjithë ata që siç tha ai, “bënë çka mundën që kjo familje e madhe politike të arrinte në këtë ditë”.
“Çdo ditë e mbarë për këtë familje është një ditë e mbarë për Shqipërinë tonë të dashur”- përfundoi Rama.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





