9 shtator 2015 – Ansambli artistik i Qendrës Kulturore të Fëmijëve në Durrës do ta fillojë sezonin e ri shkollor me pjesëmarrjen në edicionin e 14-të të Festivalit të Valleve “Ylberi i Prishtinës”. 24 fëmijë valltarë do të përfaqësojnë këto ditë Durrësin mes dhjetra grupeve artistike nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Bullgaria, Kroacia, etj.
Sipas koreografit Arian Plaku, Qendra Kulturore e Fëmijëve ka marrë pjesë në të gjitha edicionet e këtij festivali dhe këtë herë do të paraqitet me valle nga Shqipëria e mesme. “Pas prezantimit nesër në mbrëmje, ansambli do të interpretojë ditën e shtunë në sheshin qendror të Prishtinës”, tha Plaku.
Menjëherë pas festivalit, nxënësit valltarë do të kthehen për të nisur mësimet në shkollat përkatëse. Gjatë muajit shtator, një ekip futbolli nga QKF-ja e Durrësit do të marrë pjesë në kampionatin që organizohet në Tetovë (Maqedoni), ndërsa në fillim të muajit tetor do të nisë Festivali Ndërkombëtar i Lojrave Popullore FestLojë 2015.
/portali DurresLajm/