DURRËS, 20 maj 2014 – Një nga ikonat e interpretimit violinistik spanjoll, durrsaku Florian Vlashi, të shtunën e ardhshme do të jetë në një koncert tejet të veçantë në Tiranë, ku do të ekzekutojë dhe një vepër të bashkëqytetarit të tij, Hajg Zaharjan (Artist i merituar).
Një festivali ndërkombëtar “Ditët e muzikës së re shqiptare”, ka filluar më 14 maj 2014, dhe do të vazhdojë deri 13 qershor 2014.
Për ministrinë e Kulturës konsiderohet ngjarje që ditën e shtunë, më 24 maj 2014, ora 19.00, në Universitetin e Arteve ky festival organizon koncertin The green violinist – Hommage a Chagall, në interpretimin e violinistit Florian Vlashi, me vepra të Karmella Tsepkolenko, Çezar Aliaj, Maurice Ravel, Hajg Zaharjan, Donika Rudi, Iannis Xenakis, Alfred Schnittke.
Violinisti dhe dirigjenti shqiptar Florian Vlashi është, që prej gati njëzet vitesh, një nga vlerat kryesore të muzikës bashkëkohore në Galicia, vendi i tij i adoptimit që nga viti 1992 kur hyri në Orquesta Sinfónica de Galicia.
Në La Korunja, Florian Vlashi drejton Grupo Instrumental Siglo XX, një ansambël i formuar kryesisht nga solistët e orkestrës herkuline me të cilët luan një repertor té gjerë që ka në bazë kryeveprat e shekullit XX ku përfshihen autorë që nga Schönberg, Xenakis, Stravinsky apo Crumb e deri te Bartók, Schnittke e shumë të tjerë, gjithmonë brenda këtij organizmi të jashtëzakonshëm, që është muzika bashkëkohore.
Ky festival organizohet nga shoqata “Muzika e re shqiptare”, me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





