Vetëvrasja e 24-vjeçares Anisa Gjini në Durrës i ka tronditur jo pak të afërmit dhe mbarë opinionin publik. E reja i dha fund jetës mbrëmjen e të martës duke u hedhur nga ballkoni i katit të tretë të banesës, pas një konflikti me bashkëshortin, Alfred Gjinin.
Çifti me origjinë nga Gramshi ishin prindër të një djali të mitur. E reja punonte në një fabrikë këpucësh, ndërsa 31-vjeçari punonte në ndërtim.
Të afërmit kanë treguar se të rinjtë shkonin mirë me njëri-tjetrin dhe nuk kishin parë asgjë të dyshimtë.
“Kërciti bam dhe asgjë më. Kur dolëm ne ajo iku, e mori burri për ta çuar në spital. Kanë një çun. I kemi parë gjithmonë mirë. Kam qenë në një dasëm bashkë me to dhe i kam parë shumë mirë.”
“Kanë shkuar aq mirë sa i kishin zili të gjithë. Ka qenë punë momenti. Kur kemi ardhur kishte marrë fund çdo gjë. Nuk kemi gjetur njeri atje. Të futesh brenda nuk i mungon asnjë gjë. Kjo na vjen keq.”
Në lidhje me ngjarjen e rëndë, policia njoftoi mëngjesin e sotëm se ka arrestuar në flagrancë 31-vjeçarin Alfred Gjini, bashkëshortin e viktimës.