Gjykata Themelore në Prishtinë ka marrë vendimin dhe i ka caktuar 30 ditë paraburgim  pronarit dhe instruktorit të poligonit “Fazani-S”, Hashim Rexhepit. Në këtë poligon pak ditë më parë humbi jetën një 24-vjeçare e cila qëlloi veten aksidentalisht.

Sipas prokurorit dyshohet se Rexhepi, si instruktor i poligonit nuk ka vepruar sipas rregullave dhe ka shkaktuar rrezik për jetën e njerëzve. Ai akuzohet me veprën “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.

“…në atë mënyrë që si instruktor, duke lënë tani më të ndjerën L.S dhe dëshmitarin A.R që të pajisen me armë zjarri dhe municion dhe te njëjtit të hynë brenda në poligon ku zhvillohet gjuajtja, pa mbikëqyrjen e tij, ku si pasojë e kësaj, L.S gjatë manovrimit me armë qëllon veten në pjesën e abdomenit duke i shkaktuar vetes lëndime të renda trupore dhe si pasojë e njëjta rreth orës 21:05 ndërron jetë në QKUK në Prishtinë” thotë Gjykata.

Sipas Gjykatës, nëse i pandehuri lihet i lirë ai mund të arratiset me qëllim shmangien e përgjegjësisë penale. Mbrojtja e të pandehurit, e ka kundërshtuar caktimin e paraburgimit, duke thënë se nuk ekziston asnjë dyshim se Hashim Rexhepi mund të arratiset.

“Nuk ka asnjë dyshim të bazuar se i mbrojturi im do të fshihet pasi që pas dhënies së ndihmës së parë, i njëjti ka kontaktuar menjëherë Policinë. Nuk ka asnjë dyshim se i njëjti mund të asgjësoj apo fsheh provat, përkundrazi ka ndikuar në sigurimin dhe mbledhjen e provave”, tha Besiana Ismaili, avokatja e Hashim Rexhepit.