Sulmet e terrorit në Bruksel tronditën të gjithë botën. Më i frikshmi ishte ai që ndodhi në aeroportin e Brukselit, ku mbetën të vrarë 14 persona dhe u plagosën 96 të tjerë.

Mirëpo, drejt Brukselit ishte nisur edhe një avion me shqiptarë, i cili la Rinasin në orën 6:45 të mëngjesit të sotëm.

Në bord udhëtonin 35 shqiptarë, që të gjithë shëndoshë e mirë. Një prej pasagjereve, e cila tashmë ka mbërritur në Bruksel, rrëfen për “Panorama Online” udhëtimit 12 orësh drejt Brukselit.

Nirvana Deliu, 24 vjeçe ishte nisur drejt Brukselit për një konferencë. “U nisëm rreth orës 6:45 nga Rinasi drejt Brukselit.

Gjithçka po shkonte mirë kur rreth orës 9:00, kapiteni i avionit na njoftoi se duhet të ktheheshim në Paris, pasi aeroporti i Brukselit ishte mbyllur për arsye të paqarta. Ai na tha se kishte trafik ajror të rënduar dhe se duhet të prisnim në Paris”, tregon Nirvana Deliu për “Panoramën”.

Më tej, 24-vjeçarja thotë se kur u ulën në Paris, në aeroportin “Sharl De Gol”, personeli i avionit u kërkoi të qëndronin brenda në avion.

“Nuk na shqetësoi shumë kthimi në Paris, pasi avioni në fakt kishte intinerar “Tiranë – Bruksel –Paris. Por kur na thanë se nuk mund të zbrisnim, atëherë pasagjerët filluan të ndiznin telefonat dhe kështu mësuan lajmin se në Bruksel kishte patur shpërthime”, tregon ajo.

“Aty mësuam se kishte edhe të vdekur dhe njerëzit nisën të përfshiheshin nga paniku. Na zbritën në aeroport dhe na thanë se do të na dërgonin me autobus drejt Brukselit”, rrëfen Nirvana.

Mirëpo sipas saj, edhe aeroporti i Parisit ishte në panik, pasi ekzistonte frika se mos kryheshin edhe aty sulme terroriste.

Ajo tregon më tej se pasagjerët shqiptarë ishin të trembur dhe se vetëm dy persona në bord dinin anglisht.

“Na thanë të qëndronim për drekë në aeroportin “Sharl De Gol” pasi kishte trafik dhe autobusi do të vonohej. Njerëzit ishin të trembur. Vetëm unë dhe një burrë tjetër dinim të flisnim anglisht dhe vetëm dy të tjerë kishin telefona që mund të kryenin thirrje ndërkombëtare.

U krijua një situatë shumë e rëndë. Qëndruam deri në orën 12:00 pa asnjë njoftim. Më pas na thanë se autobusi ishte afër.

Kur erdhi autobusi njerëzit nxituan të dilnin jashtë aeroportit dhe ngaqë po humbisja grupin lashë pas edhe valixhet”, rrëfen më tej Nirvana.

Ajo tregon se rruga nga Parisi në Bruksel zgjati rreth katër orë e gjysmë. Nëpër rrugë kishte shumë trafik, pjesëmarrje të forcave të antiterrorit dhe kontrolle.

Në kufirin franko-belg ishte vendosur ushtria dhe thirrjet telefonike me numra të huaj apo me roaming ishin bllokuar nga autoritetet belge.

Ajo tregon se pret që ditën e nesërme të marrë njoftimin e radhës për kthimin në Shqipëri.

“Na kanë thënë se do të hapet një terminal në orën 6 të mëngjesit, por ende nuk e dimë me siguri. Ka edhe mundësi që të udhëtojmë me autobus në ndonjë vend fqinj dhe pastaj të kthehemi në Shqipëri”, thotë Nirvana.

Autobusi i la shqiptarët në qendër të Brukselit, ndërsa transporti publik ishte i mbyllur. Në qytet kishte vetëm taksi.

“Gjeta një taksi dhe shkova në hotel, që është pranë qendrës së Brukselit. Të gjitha hotelet janë përplot me njerëz, madje shumë prej tyre kanë hequr tarifat. Ka edhe shumë qytetarë që kanë hapur dyert e shtëpive për pasagjerët e bllokuar këtu”, thotë pasagjerja shqiptare për “Panoramën”.