Po ndihmonte një vajzë nga Kosova për të kaluar kufirin përmes portit të Durrësit në mënyrë të paligjshme, arrestohet një shtetas nga Gjakova.

U arrestua në flagrancë, shtetasi E. B., 31 vjeç, banues në Gjakovë, Kosovë. Ai u kap nga shërbimet e Policisë Kufitare, në PKK Port Durrës, duke ndihmuar shtetasen M. S., 24 vjeçe, banuese në Gjakovë, që të kalonte kufirin në mënyrë të paligjshme.

Ai akuzohet për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, ndërsa ndaj 24-vjeçares nisi procedimi penal për veprën penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”.

Gjithashtu, u arrestua një shtetas turk në port. Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomiko-Financiar në DVP Durrës arrestuan në flagrancë, për veprën penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave”, shtetasin A. Y., 41 vjeç, banues në Turqi. Ai është kapur nga shërbimet e Policisë Kufitare, në PKK Port Durrës, duke tentuar të kalojë kufirin, me dokumente të falsifikuara.