Shoqëria Rajonale Ujësjellës Kanalizime Durrës ka nisur një aksion në terren për kontrollin e zonave të faturimit. Janë 25 grupe të SHRUK Durrës, që janë shpërndarë në të gjithë zonën e shërbimit të cilët po verifikojnë saktësinë e faturimeve, pajisjes me kontrata të objekteve të reja, azhornimin e të dhënave dhe kontrollin për lidhje të paligjshme.

“Prej 3 ditësh gjendemi në terren. Shoqëria Rajonale ka ngritur 25 grupe verifikimi. Qëllimi kryesor është evidentimi i zonave të faturimit, azhornimi i kartelave të abonentëve, evidentimi i lidhjeve të paligjshme etj. Sigurisht për personat që do të evidentohen me status të tillë do të ketë kallëzim penal nga ana e Shoqërisë sonë. Indikator tjetër kryesor është edhe rritja e arkëtimit. Ky aksion që për momentin është i fokusuar në Durrës do të vijojë edhe në zona të tjera”,- thotë për “DurrësLajm”, Jorida Hoxha, drejtore e Departamentit Tregtar në SHRUKD.

Aksioni në fjalë do të vijojë edhe në muajt në vazhdim  dhe do të shtrihet edhe në zonat e tjera, që kjo shoqëri mbulon, siç janë njësitë operative në Rrogozhinë, Kavajë, Shijak dhe Krujë. Aksioni vjen në prag të sezonit veror dhe shërben që Shoqëria Rajonale të ketë një sistem të dhënash më të saktë me qëllim përmirësimin e faturimit dhe saktësimin e të dhënave të cdo abonenti, familjar apo privat.