Nga Gladiola Busulla
Të respektojmë gruan. Të bashkuar kundër dhunës ndaj grave. Të eliminojmë dhunën. Të sensibilizohemi ndaj dhunës kundrejt grave.
25 nëntor 2013- Këto janë formula klishe, të shumëpërdorura, e ndonjëherë të keqpërdorura në një ditë të tillë.Ndërkohë, ç’inisiativa ndërmerren për mbrojtjen e grave në Afganistan, të cilat poshtërohen çdo ditë dhe janë nën trysninë e vazhdueshme të dhunës së të gjitha llojeve. Në të shumtën e rasteve nuk gjejnë drejtësi, sepse shumë prej këtyre krimeve, duke përfshirë dhe përdhunimin, nuk konsiderohen gjithmonë si të tillë. Po të hapim sytë më me vëmendje, dhe këtu rrotull nesh, shumë larg nga Afganistani mund të evidentojmë ndoshta një, dy ose frikshmërisht disa subjekte të tilla dhune. Nëpërmjet rezolucionit 54/134 të 17 dhjetorit 1999, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara ka caktuar datën 25 nëntor , si Dita Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave , dhe ftoi qeveritë, organizatat ndërkombëtare dhe OJQ-të për të organizuar aktivitete si qëllim që të rrisë ndërgjegjësimin publik në këtë ditë .
Asambleja e Përgjithshme e OKB-së ka njoftuar zyrtarisht këtë datë të zgjedhur nga një grup i grave aktiviste në Mbledhjen Feministe të Amerikës Latine të mbajtur në Bogota, në vitin 1980. Kjo datë u zgjodh në kujtim të vrasjes brutale në vitin 1960 të tri motrave Patria, Minerva e Maria Teresa Mirabal. Ato konsiderohen si modeli i grave revolucionare për përkushtimin, me të cilin ato u përpoqën të kundërshtonin regjimin e diktatorit Rafael Leonidas Trujillo-s, që e mbajti Republikën Domenikane në prapambetje dhe kaos për mbi 30 vjet.
Më 25 nëntor 1960, motrat Mirabal, ndërsa po udhëtonin për të vizituar burrat e tyre në burg, u bllokuan në rrugë nga agjentët e shërbimit të zbulimit ushtarak. Ato janë torturuar në format më çnjerëzore, janë rrahur e dhunuar për vdekje; më pas trupat e tyre janë futur sërish në makinë, për t’u hedhur nga një shkëmb, në mënyrë që gjithçka të shëmbëllente si një aksident. Vrasja e motrave Mirabal mbahet mend si një nga tragjeditë më të mëdha të historisë domenikane.
Në veçanti Minerva Mirabal, me një emër tejet domethënës shquhej për një vullnet të hekurt dhe kulturë të gjerë. Në vitin 1995, shkrimtarja domenikane Julia Alvarez ka botuar librin “Koha e fluturave”, mbi subjektin e të cilit u realizua dhe filmi me të njëjtin titull, ku në rolin e Minervës, shfaqet aktorja me famë botërore Salma Hayek .
Në vitet e fundit, institucione dhe organizata të tilla si Amnesty International festojnë në këtë ditë, një sërë nismash politike dhe kulturore.
Dhuna ndaj grave është dhunë e shkaktuar në baza gjinore, dhe konsiderohet një shkelje e të drejtave të njeriut.
" Deklarata për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave ", në vitin 1993 Neni 1 ,e përshkruan dhunën ndaj grave si : " Çdo akt dhune mbi motive gjinore – që rezulton se mund të shkaktojë ose shkakton dëmtim fizik , seksual ose psikologjik, përfshirë edhe kërcënime të dhunë , shtrëngimit ose heqje arbitrare të lirisë, si në jetën publike ashtu dhe në atë private”.
Por dhuna ndaj grave është bërë vetëm kohët e fundit, objekt serioz debati publik, pasi ende ndihet mungesa e politikave kërkimore, e projekteve të ndërgjegjësimit dhe trajnimit kundër dhunës ndaj grave. Kërkimet e zhvilluara gjatë dekadës së fundit tregojnë se dhuna ndaj grave është endemike, në vendet e industrializuara dhe në vendet në zhvillim. Viktimat dhe agresorët e tyre i përkasin të gjitha klasave socio-kulturore, si dhe të gjitha klasave ekonomike.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë , të paktën një ndër pesë gra është abuzuar apo frustruar fizikisht ose seksualisht nga një njeri, gjatë gjithë jetës së saj. Dhe rreziku më i madh janë anëtarët e familjes; bashkëshortët, etërit, vëllezërit, për të vijuar me shokët, fqinjët, kolegët dhe të njohurit në raporte pune apo studimi.
Në vitin 2006, Shqipëria ka miratuar ligjin “Për masa ndaj dhunës në marrëdhënie familjare”, sipas të cilit, viktimat e dhunës në familje mund të kërkojnë masa mbrojtjeje dhe t’u drejtohen organeve përkatëse për bashkëpunim në identifikimin dhe ndjekjen penale të dhunës në familje. Ky ligj i mirëpritur të jep shpresë dhe siguri, por a gjen aplikim të plotë në jetën sociale shqiptare?! Këtë nuk mund ta garantojë askush.
Sa ju dhemb në shpirt për një grua që dhunohet? Tënderuar bashkëshortë, etër, djem, vëllezër, miq, kolegë, ju e keni plotësisht të mundur shmangien dhe eliminimin e kësaj dukurie të shëmtuar dhe anormale, tejskajshmërisht në kontrast me vlerat dhe humanizmin.
Mos harroni kurrëtë përkujdeseni për gratë e jetës suaj. Duajini dhe mbrojini ato, sepse gruaja është nëna që të fal jetën, është shoqja e ngushtë, është motra që të fal dashuri, është bashkëudhëtarja juaj në të mirë e në të keq, është vajza e vogël që puthni në ballë para se ta zërë gjumi, është dora që tundi botën. Ajo të mëson të duash të vërtetën dhe të jesh më i mirë.





