Jemi në tetor të vitit 2012. Futbolli në këtë fillim të shekullit të 21-të, natyrisht që është bërë më i larmishëm, më spektakolar duke kaluar edhe në formula të rrepta të biznesit. Është koha kur në botë qarkullojnë emra të tillë “mbitokësorësh” si Mesi e Ronaldo, për të mos u shtrirë në protogonistë të tjerë magjik të topkëmbës. Ku dua të dal me këtë argument? Jorgji Pasku, apo siç thërritet në opinion Xhoxhi, e shikoj çdo pasdite të dalë rrugëve të qytetit me zonjën e tij.

E shikoj me vëmendje dhe kërshëri, deri në një drithërimë të lehtë për emrin e mirë të lënë në rininë e tij në futbollin e qytetit. I kërrusur paksa nga pesha e viteve, plotësisht i zbardhur në krye, por i palëvizur në fisnikëri duke ruajtur një buzëqeshje tërheqëse dhe të lindur. Kisha informacion për të, që është ndër futbollistët më në zë të fund viteve 40-të e deri në kufirin maksimal të viteve 50-të. Luajti në mbrojtje dhe mesfushë, me një shpirt për t’ia patur zili, me një grintë dhe karakter gare që e bënin protagonist të denjë të topkëmbës durrsake.

Nuk do të shkruaj gjatë për të në këto rradhë, të mbushura plot mbresa e nostalgji, ku forca dhe malli i traditës vjen aq i ndjeshëm sa që ta ndal për mjaft minuta për të vazhduar më tej shkrimin. Njëherë tjetër do të merrem me Xhoxh Paskun e urtë, si natyra e njohur e çdo durrsaku. Por kur e takova qëndrova pak çaste në këmbë dhe iu luta të më ofrojë disa foto të kohës së tij.

“Në ato që zotëroj jam i “varfër” në ilustrimet e kohës tënde Xhoxhi. Im atë më ka folur shumë si pjesë drejtuese e Lokomotivës së atëhershme, por fotot më mungojnë. Një pjesë e mirë  futbollistësh nuk jetojnë më. Të tjerë janë të sëmurë e nuk i shikojmë të dalin. Është edhe një grup sado i vogël, që kalojnë vitet e fundit të jetës në tokë të huaj, teksa kanë emigruar me fëmijët e tyre. Të lutem më ofro disa foto, që t’i kem pjesë të punës time, për t’iu falur traditës së futbollit të qytetit të lindjes që është jashtëzakonisht e pasur. Është shkruar pak. Është folur gjithashtu pak. Mbetet për të bërë akoma më tej”,- i thashë unë.

Dhe Xhoxh Pasku pa u mbushur 24 orë nga kjo, vjen e më takon dhe më “hedh” në tavolinën e punës me dhjetëra foto. Janë të zverdhura nga vitet, por shumë të ëmbla, shprehëse, magjike dhe shumë nostalgjike. Një pjesë i shikoja për herë të parë, të tjerë i njihja për së gjalli, e disa syresh m’i tregonte ky pra, futbollisti titullar i Teutës së pas luftës Xhoxhi Pasku.

“Mbaro punë dhe m’i kthe, sepse më duhet t’i “takoj” herë pas here miqtë dhe shokët e shtrenjtë e të çmallem me to. Kujtoj rininë tonë të mbushur me pasion dhe sakrificë për futbollin. Vështirësi sa të duash, por shumë pasion, punë e dashuri për të mbrojtur ngjyrat e qytetit. Nuk dua të bëj krahasime me të tanishmen, sepse nuk shkon, por edhe në kohën tonë u luajt mirë e bukur futbolli. Vinin e na ndiqnin bashkëqytetarët tanë. Fusha sportive mbushej plot, e kur fitonim tifozët na ngrinin në ajër e na mbanin në pëllëmbë të dorës”,- më tha Pasku.

Teksa vrisja mendjen se çfarë materialesh do të përgatitja për këtë numër rashë dakort me veten që të shikoja edhe njëherë me vëmendje fotot që më dorëzoi Xhoxh Pasku. Pamjet që kaloja në duar janë histori dhe personazhe të njohura të futbollit durrsak. Për secilën prej tyre, ia vlen të shkruash më vete. Por vendosa të ndalesha në njërën prej tyre.

Nuk është e kohës kur luante Xhoxhi, por ishin të mbledhur si me dorë 25 protogonistë në vite të futbollit durrsak. Është një foto e 13 dhjetorit 1970. Në këtë ditë në stadiumin “Niko Dovana” është zhvilluar një ndeshje futbolli ndërmjet veteranëve dhe ekipit aktual të Lokomotivës. Nga 25 veta, 11 ndër ta nuk jetojnë. Por i kam njohur nga afër që të gjithë dhe m’u duk në një çast se fillova të bisedoja me ta. Oh zot çfarë ndodh!

Forca dhe pesha e kujtimeve, por edhe e emrave shumë të njohur të Lokomotivës, më nxiti të dorëzoj për botim, që ta bëj pronë të të gjithë lexuesve. Me mjetet teknike të kohës, më duket një foto e pastër dhe me fytyra të qarta të protagonistëve. Ata që nuk jetojnë më janë: Abdulla Duma (mjeshtër i merituar i sportit), Raqi Pisku, Qamil Gavoçi, i madhi Banush Pasha, Bajram Hasa, gjyqtarët Stefan Dhima, Jorgji Zagoridha dhe Ilia Doraci, Nysret Shyti, Shyqyri Hasa dhe Kadri Gjuzi.

Kemi shkruar jo pak për secilin prej tyre, por mbetet ende pak për atë që ata bënë për futbollin e Durrësit. Kërkohet që lapsi të mbetet edhe më tej i mprehur, për të zbardhur të tjera faqe të shkëlqyera të futbollit durrsak, historia e së cilës qëndron si kurorë lavdie në atë që quhet futbolli kombëtar. Ndër të gjallët janë Mikel Muka, Xhoxh Pasku, Muharrem Kadiu, Orest Grami, Mustafa Saraçi, Nikolla Çeta, Mehmet Spahiu, Skënder Zalla, Kristaq (Çiço) Ikonomi, Met Myshku, Zyhdi Daja, Nuri Myshku, Nazmi Maxhuni dhe Petraq Ikonomi.

Edhe një foto flet shumë, madje më shumë se edhe fjalët. Prandaj e falënderova pa masë Xhoxh Paskun, për këtë ndihmesë të dhënë që pjesë të kujtimeve të tia t’ia falë edhe lexuesit. Dyrrah nuk do të heqë dorë nga nostalgjia dhe trajtimi i atyre që bënë futbollin durrsak në vite, duke mos iu shmangur edhe koherencës. Me këtë rast, me mirënjohje të thellë dhe të prekshme, mund t’i themi faleminderit brezave që me vullnetin dhe pasionin e tyre, shkruajtën traditën e Durrësit në topkëmbë. Një pjesë e artë e tyre, është edhe në këtë foto të 13 dhjetorit 1970, 42 vite më parë.