Nga Dr. Bledar Kurti
“E keqja mbizotëron kur njerëzit e mirë bëjnë asgjë,” ka thënë shtetari dhe filozofi britanik Edmund Burke. Ndaj njerëzit e thjeshtë duhet të bashkohen;përndryshe ata, një e nga një, do humbasin të ardhmen e tyre.
E keqja e madhe e vendit tonë ka fytyrën e një qeverisje çnjerëzore, pa zemër për popullin e thjeshtë, privuese e shpresës së të rinjve, kërcënuese e bukës së përditshme, arrogante dhe indiferente në ekstrem me varfërinë, rrezikun që u kanoset shqiptarëve, dhe pasigurinë e së nesërmes për të përballuar jetesën apo për të siguruar ushqimin dhe shkollimin e fëmijëve.
Kjo qeverisje ka fytyrën e babëzisë së pushtetit, të tradhtisë ndaj një kombi, pengmarrëse e rrugëtimit evropian.
30 vite më parë, dëgjonim prindërit tanë se shpresonin për ne pasi ata vetë nuk shikonin dritë. Sot, jemi ne që u themi fëmijëve tanë të njëjtat fjalë. Me dallimin se sot, shpresa është më e pakët, pothuajse e vrarë.
Por, a mund të pranojmë të vëmë kokën mbi nënkresë e të bëjmë asgjë, duke e ditur se po vidhemi, po dhunohemi, po robërohemi po na vritet e ardhmja? Sa jetë kemi? Si mund të lejojmë një grusht vagabondësh të na mbajnë në vargonj? Të na mbajnë peng vendmbërritjen tonë evropiane, ëndrrën e kahershme të gjithë shqiptarëve?
25 prilli është dita e drejtësisë së zemërimit të madh të shqiptarëve, ndaj asnjë njeri i thjeshtë të mos zgjedhë të bëjë asgjë. As të mos ketë frikë, sepse frika më e madhe është vetë frika. Por çdo shqiptar të tregojë me votë se “ne nuk i nënshtrohemi asnjë diktature dhe asnjë dhune pushteti.” Një votë nga gjithësecili prej nesh është tmerri i çdo regjimi. Është akti më patriotik ndaj vendit dhe herozimi më i madh për të shkruar një kapitull të ri për të ardhmen e fëmijëve tanë, rinisë sonë dhe çdo familje të thjeshtë shqiptare.