Të dielën e 25 prillit, banorët e qarkut Durrës dhe gjithë Shqipërisë do t’i drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në Kuvendin e ardhshëm.
Në ditët e fundit të fushatës, situata u tensionua në disa qarqe, në Elbasan u regjistrua një i vrarë dhe 4 të plagosur dhe në Kavajë një i plagosur brenda zyrës elektorale të PD-së.
Ditë më parë, krerët e të gjitha komuniteteve fetare në vend ju drejtuan qytetarëve duke apeluar për një proces zgjedhor të qetë dhe korrekt dhe njëkohësisht për mos shitblerje vote.
“DurrësLajm” iu drejtuar të gjithë krerëve lokalë të komuniteteve fetare për një apel të fundit para heshtjes zgjedhore dhe ditës së votimit.
Drejtuesit e komunitetit mysliman preferuan të mos prononcohen duke theksuar se reagimi për zgjedhjet u bë nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë (KMSH) dhe nuk kanë asgjë për të shtuar.
Në mesazhin e datës 15 prill, KMSH theksonte se:
“Ne dëshirojmë që fushata elektorale të kalojë e qetë dhe korrekte. Ju kujtojmë gjithë qytetarëve shqiptarë se, shitja apo blerja e votës, veç të tjerave, është edhe përçmim për dinjitetin njerëzor, ruani dinjitetin njerëzor pasi është amanet nga Zoti.
VOTA është shumë e shtrenjtë, ajo nuk duhet të shitet, as të blihet.
Shprehni qëndrimin tuaj ndaj alternativës që dëshironi, me vullnet të lirë, pa u intimiduar nga askush e pa intimiduar ju askënd!
Ne urojmë dhe dëshirojmë që zgjedhjet e 25 prillit të jenë një hap përpara për Shqipërinë drejt integrimit europian, të jenë të lira dhe të ndershme dhe verdikti i popullit të lexohet e të pranohet nga të gjitha palët!”
Ndërkohë At Spiro Kostoli, nga katedralja ortodokse e Apostul Palit dhe Shën Astit, theksoi gjatë prononcimit të tij se I fton qytetarët të ushtrojnë të drejtën e votës dhe të bojkotojnë personat e inkriminuar.
“Data 25 prill është një ditë shumë e rëndësishme për të gjithë shqiptarët, pasi janë zgjedhjet e përgjithshme dhe ne i ftojmë të gjithë qytetarët e vendit tonë që të ushtrojnë detyrën e tyre, të drejtën e votës. Ne i ftojmë qytetarët që të bojkotojnë personat e inkriminuar dhe të zgjedhin njerëz që mund ta çojnë këtë vend përpara. Duhet të jenë njerëz që i shërbejnë këtij populli dhe ne duhet të gjejmë pikërisht këta njerëz. Zgjedhjet të mbara për të gjithë”,– tha At Spiro Kostoli.
Nga ana tjetër, famulltari i kishës së Shën Domenikut, at Bernard Caruana ndërsa nënvizon se banorët e Durrësit dallohen për indiferencën e tyre në jetën e qytetit, duhet të kenë kujdes të zgjedhin zyrtarët për i përfaqësojnë më së miri ata dhe interesin e qytetit.
“Jemi pothuajse në fund të fushatës zgjedhore. Ne banorët e Durrësit kemi një emërtim negativ me lidhje me indiferencën që shpesh tregojmë për jetën e qytetit, por ama bashkohemi dhe bëhemi një çdo herë që lind ndonjë nevojë me vlerë.
Duke i zgjedhur me kujdes zyrtarët që përfaqësojnë më së miri vlerat dhe interesat e popullit votuesit mund të ndikojnë në formësimin e politikave që përmirësojnë patjetër cilësinë e jetës së tyre. Zgjedhjet e vërteta janë një e drejtë bazë e njeriut dhe element themelor i demokracisë”,- tha at Bernard Caruana.





