“Nëse nuk do të kishte qenë kitara, do ta kisha lënë komplet muzikën dhe artin. Do kisha vazhduar një shkollë tjetër. Kitara më shpëtoi!”
Një problem shëndetësor e detyroi Gejli Lilën të ndahej nga violina, me të cilën ushtrohej prej 10 vitesh, por dashuria për kitarën e mbajti maturanten të lidhur pazgjidhshmërisht me artin. Së bashku me Suri Osmanaj, ato janë ndër më të talentuarat e kursit të kitarës në shkollën artistike “Jan Kukuzeli”.
Por sa e duan këta të rinj të talentuar veglën muzikore që kanë përzgjedhur? Për maturantin Dhimitër Anastasi, kitara do të jetë bashkëshoqëruesja e tij edhe në Akademinë e Arteve, të cilën e synon, ndërsa për Surin ajo do të mbetet dashuria e parë dhe e fundit.
Orgito Ballshi, nxënësi i vitit të dytë është një tjetër i apasionuar pas kitarës. Madje edhe në look, ai kërkon t’u përngjajë kitaristëve më të famshëm të botës. Por përveç kënaqësisë që i fal, vegla ka vështirësitë e veta dhe ai po punon fort për t’u paraqitur sa më mirë në konkursin që starton të enjten, më 11 nëntor.
Kursi i kitarës këtë vit mbush 25 vite ekzistencë, një arritje e rëndësishme për të gjithë mësuesit, por edhe për breza të tërë nxënësish të kësaj shkolle, disa prej të cilëve janë emra të njohur në mbrëmjet live. Profesori Dashamir Mehmeti thotë se ndryshe nga vitet e para kur për këtë kurs ishte vetëm një profesor, tani japin mësim 4 të tillë.
Risia e festivalit të shkollës “Jan Kukuzeli”, që starton ditën e enjte është përfshirja e të gjitha zhanreve muzikore, duke dalë kështu nga suaza e muzikës klasike.
M.B.