Ka startuar mbrëmjen e djeshme edicioni i radhës i festivalit të liceut artistik “Jan Kukuzeli”, i cili këtë vit i është dedikuar 25-vjetorit të krijimit të kursit të kitarës në të vetmen shkollë të mesme artistike të Durrësit.
Festivali u mbajt në sallën e Qendrës Kulturore “Aleksandër Moisiu”, ku të pranishëm për të ndjekur aktivitetin ishin dhjetëra qytetarë durrsakë, mësues, prindër por edhe nxënës të kësaj shkolle.
Drejtori i shkollës, Orges Mema u shpreh se degës së kitarës po i kushtohet tashmë një rëndësi e veçantë.
“Shkolla jonë ka një traditë në të gjitha instrumentat dhe së fundmi është edhe dega e kitarës që po merr një hov shumë të rëndësishëm. Dua t`i uroj nxënësve, ish-nxënësve, mësuesve dhe ish-mësuesve të shkollës tonë të kitarës, suksese dhe t`i falenderoj për punën e tyre të pamasë”, – tha Mema.
25 vite ekzistencë, janë një arritje e rëndësishme për të gjithë mësuesit, por edhe për breza të tërë nxënësish të kësaj shkolle, disa prej të cilëve janë emra të njohur në mbrëmjet live.