Pas më shumë se 40 ditësh, prokuroria shqiptare nuk ka asnjë të dyshuar për sasinë rekord të 613 kg kokainë që hynë në portin e Durrësit dhe u kapën në Maminas mëngjesin e 28 shkurtit.

Të akuzuar dhe të arrestuar janë vetëm shoferi 25-vjeçar Armando Pezaku, të cilit i ra fati i keq të transportonte kontejnerin me banane   për llogari të kompanisë që e kishte punësuar dhe menaxheri i kompanisë së bananeve Arbri Garden, Donald Lushaj.

Në familjen e 25-vjeçarit Armando Pezakut, i cili punonte kundrejt një page prej 25 mijë lekësh në muaj, nëna nuk i ka ndalur asnjë ditë lotët. Të gjithë janë të bindur se djali i tyre është i pafajshëm, por familjarët nuk kanë asnjë mundësi se si të bindin prokurorinë të lirojë të riun.

Rina, nëna e 25-vjeçarit thotë se e mësoi nga televizori arrestimin e djalit, të cilin e ka ndjekur fati i keq, sepse çdokush që mund të transportonte atë ditë kontejnerin me banane mund të gjendej në burg. 45-vjeçarja i bën apel shtetit t’i lirojë djalin, që sipas saj, e mbajnë në burg në mënyrë të padrejtë, sepse ai është i pafajshëm.

“Djalin e arrestuan pa faj, ai nuk ka lidhje fare me drogën. Meqënëse është i varfër, prokuroria e futi në burg dhe çelësat ia kanë hedhur në det. As e marrin në pyetje, asgjë. As neve si familje, kurrë nuk na kanë pyetur në lidhje me djalin. Me 8 mijë lekë të vjetra më iku atë ditë, vetëm lekët për të blerë ndonjë gjë për të ngrënë. Ai 5 mijë ose 7 mijë lekë në ditë paguhet nga firma, është i pafajshëm”,- thotë nëna e tij.

Gëzim Pezaku, xhaxhai i djalit, lëshon akuza edhe më të rënda për prokurorinë dhe gjykatën.

“Ata e dinë që nipi është i pafajshëm, Pse e mbajnë në burg? Pse nuk arrestojnë bosët e drogës. Ata janë vetë bosët që e kanë drogën dhe mbajnë të pafajshmin në burg. Nëse djali ynë ka faj, të vijnë të na arrestojnë edhe neve për këto që themi. Por këtu nuk ka shtet e nuk ka drejtësi. Unë i bëj thirrje prokurorisë të lirojë djalin nga burgu, sepse është thjesht një punëtor, i cili urdhërohet nga shefat e tij të transportojë mallin nga një vend në një vend, e nuk ka asnjë lidhje me drogën në kontejner”,- thotë Gëzimi.

Të gjithë familjarët tregojnë se për drogën po mbahen në burg njerëzit e pafajshëm ndërsa grupet janë të lirë, ata që e sollën sasinë rekord të kokainës.

K.H.