-
Partia Demokratike ka festuar këtë të premte 25-vjetorin e themelimit të saj, në një event ku të pranishëm kanë qenë liderët dhe eksponentët historikë të saj, si dhe ata të rinj dhe mbështetës.
Në fjalën e tij, kryetari Lulzim Basha ka vlerësuar arritjet e kësaj force politike ndër vite, si dhe figurat që e kanë çuar atë aty ku është sot.
“Sot kremtojmë 25-vjetorin e themelimit të PD dhe 25-vjetorin e politikës demokratike në Shqipëri. Sot jemi krenarë për arritjet e PD në pushtet dhe opozitë, si dhe të ndërgjegjshëm për sfidat që na presin”, ka thënë Basha.
Sot kujtojmë Azem Hajdarin, Gramoz Pashkon, Pjetër Arbnorin, si dhe Sokol Olldashin, ka vlerësuar kreu i opozitës, për të nënvizuar gjithashtu se sot PD ka përpara edhe sfidën më të madhe: largimin e qeverisë Rama-Meta.
“Ky përvjetor i madh na fton të hedhim vështrimin përpara. Të projektojmë perspektivën duke filluar me të nesërmen e afërt të Shqipërisë, që po vuan e po lëngon pasojat ekzistenciale ekonomike, shoqërore dhe psikologjike të qeverisë më të papërgjegjshme, më të korruptuar dhe më të inkriminuar të tranzicionit. Protesta e madhe e 8 dhjetorit konfirmoi vendimin e madh të qytetarëve shqiptarë në udhëkryqin e ri të demokracisë tonë, largimin e qeverisë Rama-Meta jo thjesht si një qeveri mashtruese, e paaftë dhe e dështuar me mosmbajtjen e premtimeve, por si një qeveri e rrezikshme për vendin dhe qytetarët. Si një rrezik në veprim që rrit në çdo orë e çdo ditë fatkeqësinë për vendin, që provokon ikjen e qytetarëve nga Shqipëria. Të ikë fakteqësi-qeveria, të qëndrojnë shqiptarët! Të bjerë oligarkia, të ringrihet liria dhe demokracia! Ky është vendimi i 8 dhejtorit të dytë që po përhapet në mbarë vendin. Kjo është shpresa, kjo është zgjidhja. PD i prin kësaj stuhije të re të përballjes me të keqen, i prin ëndrrës dhe shpresës së re të daljes në hapësirën dhe standardin demokratik më të përparuar perëndimore. I prin me alternat tonë të re të zhvillimit. I prin e vetëdijshme për misionin e saj hyjnor”, ka deklaruar Basha.
Berisha: Të rrëzojmë qeverinë me mjete demokratike
Më herët ishte kryetari historik i PD, Sali Berisha që shprehu mirënjohjen e tij për themeluesit e saj, ndërsa bëri edhe një ekspoze të arritjeve që PD shënoi gjatë qeverisjes së fundit 8-vjeçare.
“Mirënjohje të thellë Azem Hajdarit, intelektualëve të Tiranës dhe studentëve që 25 vjet më parë i nxorrën shqiptarët nga mbretëria e terrorit dhe themeluan pluralizmin politik dhe PD-në”, tha Berisha.
“Në 8 vjet, ne i nxorrëm shqiptarët nga mjerimi, e integruam Shqipërinë në NATO, në Këshillin e Europës dhe e bëmë kandidate për anëtarësim në BE. Ju garantoj se do të vazhdoj angazhimin tim të përjetshëm për të vazhduar më tej”, theksoi Berisha.
Por të gjitha këto arritje, sipas ish-kryeministrit, janë zhbërë në këto 2 vjet qeverisjeje të PS, e cila sipas tij “duhet të rrëzohet me të gjitha mjetet demokratike”.
“Sot jemi 25 herë më të fuqishëm e më të gjallë për të mbrojtur liritë tona dhe qënien tonë. Ndaj thirrja ime është të ngrihemi në lartësinë e guximit. Ky vrasës i shpresës duhet të marrë atë që meriton, fundin. Edi Rama duhet të rrëzohet me të gjitha mjetet demokratike. Të qerrojmë sa më parë këtë klikë që po shkakton largimin e shqiptarëve”, tha Berisha.
Të pranishëm në këtë event, Arben Imami dhe Eduard Selami bënë komentet e tyre për situatën aktuale. “Sot krimi është ulur në Kryeministri dhe zgjedhjet e lira janë përdhosur”, tha Imami.
“Sot, pas 25 vjeteve, Shqipëria ka ende nevojë për ripërtëritjen e vlerave demokratike”, tha Selami.