Kreu i PD-së Lulzim Basha mori pjesë sot në ceremoninë e 25-vjetorit të vrasjes së 4 të rinjve më 2 prill të vitit 1991 në Shkodër gjatë protestave antikomuniste.

Basha tha se sakrifica e 4 të rinjve është frymëzim i krenarisë dhe lirisë sonë sot dhe e sprovës për t’i dalë para së keqes që i ka zëne rrugën vendit si para 25 vitesh.

“Dita e re e lirisë dhe e demokracisë sot është më afër se dje. Njësoj si regjimi komunist edhe këta duan pushtet me çdo kusht dhe çdo çmim, ashtu si 25 vite më parë. Vjedhin votën, shkelmojnë ligjin. Modeli i tyre është e shkuara, krimi që vrau Shkodrën, modeli i tyre është pasurimi i qeveritarëve dhe varfërimi i qytetarëve. Këtë mendje kanë pasur paraardhësit e tyre politikë, të njëjtën mendje kanë edhe sot se pushteti është mbi ligjin, jo ligji, se pushteti është dhuna dhe dajaku. Janë jashtë sistemit demokratik që Shkodra dhe Shqipëria përqafoi 25 vite më parë. 

Do të protesojmë kundër aleancës së qeverisë me krimin, që ka marrë nën këmbë shtetin si ortakë të Edi Ramës. Jemi të vendosur ashtu si 25 vite më parë që të mos nëpërkëmbet Shqipëria, do të protestojmë për të çliruar Shqipërinë nga kthetrat e oligarkisë Rama-Meta”, deklaroi lideri i opozitës.