259 shtetas të tjerë nga Afganistani kanë mbërritur në Aeroportin e Rinasit për t’u strehuar në Shqipëri. Lajmi është bërë i ditur nga Ministrja për punët e Jashtme Olta Xhaçka, e cila shprehet se mes tyre ka edhe fëmijë.

“259 fëmijë, gra e burra të larguar nga Mazari Al Sharif, kanë mbërritur pak më parë në aeroportin e Rinasit. Falë koordinimit me partnerët, ata kanë tani një strehë të sigurt, duke rikonfirmuar edhe njëherë seriozitetin dhe përkushtimin e Shqipërisë, për shpëtimin e qindra qytetarëve afganë”, shkruan ministrja Xhaçka.