TIRANE, 15 maj 2013- Një vajzë e re në moshë është plagosur në një vend publik, në një ngjarje të pazakontë në kryeqytet.
Policia ka pohuar se një djalë e ka dhunuar të renë në një ngjarje e cila është ndjekur nga kalimtarët në zonën e ish-Bllokut në kryeqytet.
Sipas Policisë, ngjarja ka ndodhur në trotuarin para portës së Presidencës në sheshin “Nënë Tereza” dhe, në pamundësi për të ndërhyrë, ata kanë lajmëruar Policinë.
Në vendin e ngjarjes ka shkuar patrulla më e afërt e Komisariatit Nr.2 dhe, vetëm pas ndërhyrjes së efektivëve të rendit, 26-vjeçari ka ndërprerë dhunën ndaj ish-të dashurës, së cilës i kishte shkaktuar disa plagë në trup. Ai është shoqëruar në Policinë e Tiranës, ku ka deklaruar se ka qenë një moment nervozizmi dhe dobësie, pasi kishte mësuar se vajza me të cilën ishte ndarë prej disa muajsh, kishte nisur një histori dashurie me një djalë tjetër.
Burime nga Policia thanë se autori i ngjarjes, i cili do të hetohet në gjendje të lirë, është shtetasi Dhimitër J., 26 vjeç, lindur në Leskovik dhe banues në Tiranë. Ai akuzohet se dy ditë më parë, rreth orës 16:30, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, pranë Presidencës, ka kanosur me jetë dhe ka rrahur e goditur me grushte e shkelma shtetasen Granida Xh., 23 vjeçe, lindur në Përmet dhe banuese në rrugën “Gjergj Legisi” në Tiranë. Ajo ka marrë mjekim në Spitalin Ushtarak dhe më pas është larguar në shtëpi.





