Jorida Rustemi denoncon në polici 26-vjeçarin e fiksuar prej dy muajsh pas saj

Më 2 maj u zhvillua seanca e parë gjyqësore në Tiranë, ku u vendos që djali i akuzuar të gjykohet në gjendje të lirë.

Psikologia e njohur e ka denoncuar në Polici për shtrëngim për bashkëjetesë dhe marrëdhënie intime.

Psikologia e njohur, Jorida Rustemi, është vendosur para një përballjeje aspak të mirë me një djalë 26-vjeçar nga Vlora, që, pasi nuk ka mundur dot ta shmangë personalisht, i është drejtuar Komisariatit të Policisë Nr.2 në Tiranë me një kallëzim penal. Rustemi, magjistër në Psikologji Klinike dhe Këshillim dhe një nga psikologet më të njohura me opinionet e saj në shumë programe televizive, është ndier e kërcënuar nga Kreshnik Maksim Mehmetaj, i datëlindjes 07.12.1986, lindur në Ballsh, me arsim të mesëm, banues në lagjen “Çentrale” Vlorë dhe i padënuar më parë. Ai që prej verës së vitit 2012 e ka shqetësuar Rustemin nëpërmjet thirrjeve telefonike, mesazheve, rrjetit social “facebook”, duke e fyer, kërcënuar, si dhe duke e ndjekur në ambientet e zyrës së saj.

Në kallëzimin e saj në Polici, Jorida Xhafer Rustemi, e datëlindjes 24.11.1978, lindur dhe banuese në rrugën “Ismail Qemali” në Tiranë, me arsim të lartë dhe e padënuar, ka sqaruar se personi e ka shantazhuar me qëllim shtrëngimin për bashkëjetesë dhe marrëdhënie intime me të. Që nga shtatori i vitit 2012, i dyshuari Mehmetaj i ka telefonuar, i ka dërguar mesazhe me telefon dhe email-e Jorida Rustemit, të cilat janë deklaruar si shqetësuese nga ana e saj. Kjo për arsyen se, përveç komplimenteve për pamjen e jashtme dhe paraqitjen në publik, personi në fjalë i ka propozuar edhe për bashkëjetesë e martesë.

Nga deklarimet që Jorida ka bërë në Polici, del se Mehmetaj kishte tentuar disa herë që ta takojë në zyrën e saj në Tiranë, po ajo nuk pranuar. Meqenëse këto telefonata dhe mesazhe janë bërë shqetësuese për Jorida Rustemin, ajo ka bërë një kallëzim penal pranë Komisariatit të Policisë Nr.2 në Tiranë, në orën 11:00 të datës 29 prill të këtij viti.

/Panorama/