Itali, 23 mars 2014– Pretenca e prokurorit italian ishte 14 vjet burg për Arben Pepën, 37 vjeç dhe 12 vjet burg për Kastriot Kolën, 34 vjeç. Të dy shqiptarët së bashku me Selman Ballën, 48 vjeç dhe një tjetër shqiptar vetëm 16 vjeç, në 24 janar 2013 grabitën me dhunë një vilë në qytezën e Burianos në Provincën e Pratos. Ata grabitën disa mijëra euro, por grabitjen e shoqëruan me dhunë të shfrenuar duke rrahur shërbëtoren rumune dhe duke plagosur me thikë të zotin e shtëpisë Gian Michele Gangale, 36 vjeç (në foto). Ai nga goditjet me thikë mbeti i paralizuar.
Selman Balla, pasi arriti të ndërronte masën e sigurisë në arrest shtëpie, u arratis nga Italia. Besohet se fshihet në Shqipëri dhe po kërkohet nga Interpol Roma për t’iu dorëzuar drejtësisë italiane.
/gje. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





