Sot shënohen 26 vjet nga rrëzimi i bustit të diktatorit Enver Hoxha, në sheshin qendror të kryeqytetit. Më shumë se një çerek shekulli më parë, mijëra qytetarë të Tiranës u mblodhën në shesh, duke kryer aktin e rrëzimit të bustit të diktatorit, që ishte parë si simboli i komunizmit.
Rrëzimi i bustit ishte simbolika e rënies së një regjimi që po jetonte ditët e tij të fundit dhe që ishte paraprirë nga një seri zhvillimesh të ndryshimit të madh, i cili nisi me protestën e studentëve, grevën e tyre të urisë e pranimit të pluralizmit politik të Shqipërisë.
Nga Qyteti Studenti, prej nga nisi dhe kërkesa për rënien e regjimit, pati fillesën edhe akti i rrëzimit të bustit të diktatorit Enver Hoxha. Mijëra studentë dhe qytetarë, u nisen prej andej drejt sheshit “Skënderbej”. Pas përleshjes me policinë, u arrit rrëzimi i bustit, duke e futur 20 shkurtin në kalendarin e historisë, si ditën e ndarjes me diktaturën dhe fillimit të një epoke të re.





