Përballja mes Realit të Madridit dhe Seviljes ka pasur shumë polemika nga të dyja kampet. Në Madrid janë ankuar për golin e analizuar të Lukas Vaskezit (10’). Në krahun tjetër në Sevilje janë ankuar për një penallti të padhënë në favor të tyre si dhe për golin e Luka Modriç, ku pretendojnë për një pozicion jashtë loje. Si Reali dhe Sevilja, pothuajse të gjithë klubet në La Liga, por edhe në Segunda Division kanë rezervat e tyre për gjykimin. E veçanërisht për golat e anuluar me ndihmën e sistemit VAR. “Misterchip” i specializuar në analizat statistikore ka ndjekur të gjithë ecurinë e klubeve spanjolle që kur sistemi VAR u bë zyrtarisht pjesë e lojës, duke u fokusuar te golat e anuluar prejt këtij sistemi.

Dhe si për habi, klubi më i sulmuar këto kohë për favorizim nga gjyqtarët, Reali i Madridit rezulton të jetë skuadra të cilës i janë anuluar më shumë gola nga përdorimi i teknologjisë. Që me futjen e sistemit VAR, Realit të Madridit i janë anuluar plot 27 gola, i fundit pikërisht kundër Seviljes të dielën në mbrëmje në La Liga. Si për ironi të fatit, vetëm në këtë sezon, kundër Seviljes, Realit të Madridi i janë anuluar tri gola. Dy gola iu anuluan në takimin e fazës së parë në kryeqendrën e Andaluzisë dhe i treti jo më larg se të dielën në “Bernabeu”.

Sevilja, rivalja e Realit të dielën e kaluar është klubi i dytë me më shumë gola të anuluar në Spanjë falë teknologjisë VAR, 16 rrjeta. Podiumi në këtë renditje të veçantë plotësohet nga Atletiko e Madridit, të cilës i janë anuluar 14 gola me sistemin VAR. Të njëjtin numër golash të anuluar sikurse Atletiko numëron dhe Valencia, rivali i Realit në fundjavën e ardhshme. Barcelona gjithashtu është pjesë e këtij skenari, ku klubi katalanas i janë anuluar 11 gola nga përdorimi i teknologjisë VAR, teksa para saj janë Selta Vigo (12) e Sociedadi (13).