Gjashtë persona janë arrestuar në kuadër të një operacioni të gjerë kundër trafikut të lëndëve narkotike të organizuar nga Policia e Tiranës këtë të shtunë.

Në operacionin e koduar “Agimi”, përfunduan në pranga shtetasit Fatmir Haka 33 vjeç dhe me detyrë nënoficer në repartin e Zallherrit, Ylber Tahiri 42 vjeç, Arben Metaj 28 vjeç, Urim Haka 22 vjeç, Valder Dedndreaj 30 vjeç dhe Fajton Hoxha 30 vjeç, që të gjithë banues në Tiranë.

Gjatë kontrolleve të kryera në banesën dhe makinën e shtetasit Fatmir Haka, policia ka gjetur 27 kilogramë lëndë narkotike e dyshuar hashash, një armë zjarri automatike, një pistoletë, krehër automatiku me 27 fishekë dhe 10 aparate celularë. Policia thotë se transporti i lëndës narkotike do të bëhej me një automjet tip BMW me targa AA933BX.

Hetimet ndaj gjithë këtyre personave nisën disa muaj më parë pas informacioneve të siguruara në rrugë operative.