20-vjeçarja shtatzënë Florida Mersela, ka qenë personazhi i radhës në emisionin “Me zemër të hapur” në televizionin “News 24”, nga ku i ka bërë apel bashkëshortit që të kthehej pranë saj.
27-vjeçari nga Dibra, Elvin Hoti, ka vendosur të ndahet nga bashkëshortja vetëm dy muaj pas martesës, pasi ka kuptuar se jetesa së bashku ishte e pamundur për shkak të karaktereve shumë të ndryshme. Ai e ka kthyer 20-vjeçaren në shtëpinë e prindërve të saj dhe është larguar me justifikimin se do të punonte përgjatë verës në Greqi, por pa i komunikuar asaj ndarjen përfundimtare. “Nuk dua ta rris fëmijën pa baba. Kthehu Elvin… Unë besoj tek dashuria e tij, por prindërit e tij e kanë detyruar që ai të heqë dorë nga unë.”-tha në emision Florida Mersela.
Ndërsa vëllai i saj, u shpreh gjatë transmetimit se nëse Elvini nuk do të njihte atësinë e fëmijës, ai do të merrte hak sipas Kanunit. Pas këtyre deklaratave, 27-vjeçari ka komunikuar me studion nëpërmjet një lidhjeje telefonike dhe deklaroi se ndarja ishte përfundimtare dhe se ai nuk donte të rikthehej me Floridën. Ai gjithashtu u shpreh se ishte i gatshëm të njihte atësinë e fëmijës.
Florida Mersela dhe Elvin Hoti fillimisht janë njohur nëpërmjet rrejteve sociale. Ata janë takuar për herë të parë në shkurt të vitit 2016 dhe janë fejuar vetëm një muaj më pas. Në pril të vititi 2016, ata kanë lidhur kurorë ndërsa në muajin korrik, Elvini e ka kthyer bashkëshorten në shtëpinë e prindërve të saj.





