KORÇE, 6 qershor 2013 –Një 27-vjeçar është arrestuar nga policia e Korçës, pasi ka tentuar të vrasë me një thikë buke të fejuarën dhe nënën e saj.

Ngjarja e rëndë është regjistruar mbrëmjen e së martës në fshatin Poloskë të Devollit, ku 21-vjeçarja me iniciale K.Gj. dhe nëna e saj janë bëra viktima të dhunës fizike të ushtruar nga dhëndri i tyre, Ervis Turuku. 

Sipas policisë, konflikti ka nisur prej mbrëmjes së të dielës, kur dy të rinjtë janë grindur për një telefonatë anonime që kishte marrë 21-vjeçarja.

Kjo telefonatë ka ngjallur dyshime të forta tek i fejuari i saj, i cili i ka kërkuar llogari duke provokuar kështu sherrin.

Konflikti mes tyre ka vijuar edhe në ditët në vijim, derisa në inat e sipër 27-vjeçari ka hyrë me forcë në banesën e prindërve të së fejuarës, ku ka goditur me grushte 21-vjeçaren dhe nënën e saj, ndërsa më pas ka tentuar t'i vrasë me thikë. 

Skena e dhunshme dhe kërcënimet me thikë kanë ndodhur në prezencë të fqinjëve, të cilët janë përpjekur të neutralizojnë të riun që është larguar menjëherë.

21-vjeçarja më pas ka denoncuar të fejuarin, duke rrëfyer në polici gjithë ngjarjen. Blutë janë vënë menjëherë në kërkim të 27-vjeçarit Ervis Turuku, i cili është prangosur me akuzat për veprat penale "Kanosje", "Dëmtime të tjera me dashje" dhe "Dhunim banese".