27-vjeçarja shqiptare, Nensi Dojaka ka fituar çmimin e Fondacionit “Louis Vuitton” për stilistët e rinj për edicionin 2021. Stilistja shqiptare ka lindur në Tiranë dhe ka përfunduar studimet në Londër ku dhe jeton.
Në këtë kompeticion merrnin pjesë 1900 aplikantë nga 110 vende të ndryshme të botës. Ajo fitoi çmimin e madh prej 300 mijë eurosh dhe një vit trajnim nga LVMH Moët Hennessy Louis Vuitton.
Dojaka u zgjodh nga një juri e drejtuesve të industrisë, përfshirë Marc Jacobs, Maria Grazia Chiuri të Dior, Kim Jones të Fendi, Virgil Abloh të Louis Vuitton, Stella McCartney dhe Jonathan Anderson të Loewe.
Ajo është bërë e njohur për veshjet e saj me rrip spageti të frymëzuar në vitet ’90 dhe pjesët e endura të ndërtuara me kujdes.