Kryetari i Air India, Chandrasekaran, deklaroi se njëri prej motorëve të avionit Boeing 787-8 Dreamliner që u rrëzua javën e kaluar ishte i ri, ndërsa motori tjetër nuk kishte nevojë për servis deri në dhjetor të vitit 2025.

Në një intervistë për kanalin indian Times Now, Chandrasekaran tha se të dy motorët kishin “histori të pastër” dhe nuk kishin pasur probleme të mëparshme.
“Motori i djathtë ishte i ri dhe u vendos në mars 2025, ndërsa motori i majtë ishte në servis për herë të fundit në vitin 2023 dhe ishte planifikuar të kalonte servis në dhjetor 2025,” tha ai.

Në aksidentin tragjik që ndodhi të enjten e kaluar në aeroportin e Ahmedabad, u vranë të paktën 270 persona, shumica pasagjerë, kur avioni AI171, me destinacion Londrën, u rrëzua pak më pak se një minutë pas nisjes.

Hetuesit po analizojnë mbetjet dhe po dekriptojnë të dhënat nga kutitë e zeza të avionit për të zbardhur momentet e fundit të fluturimit dhe për të përcaktuar shkakun e aksidentit.

“Ka shumë spekulime dhe teori, por faktet që di deri tani janë se ky avion ka një histori të pastër”, paralajmëroi Chandrasekaran, duke kërkuar që të mos nxitohet me përfundime.

Eksperti i hetimeve të aksidenteve ajrore, Kishore Chinta, tha për BBC se gjendja e një motori nuk lidhet domosdoshmërisht me moshën e tij, veçanërisht për motorët Genx-1B që përdoren në Boeing 787-8.

“Kohëzgjatja e motorit nuk përcakton ‘shëndetin’ e tij,” tha ai, duke sqaruar se motori i ri nuk do të thotë patjetër që është në gjendje të mirë, dhe anasjelltas.