27 nëntor 2015 – Prefektura e Durrësit dhe Komiteti i Veteranëve të LANÇ-it organizuan në hollin e Pallatit të Kulturës një aktivitet me rastin e dy ngjarjeve më të mëdha historike të Kombit Shqiptar, 28 e 29 Nëntorit. Në aktivitet morën pjesë veteranë të LANC-it, pasardhës të tyre, kryetari i bashkisë Vangjush Dako, Prefekti i Qarkut Roland Xhelili etj.
Kori i shkollës së muzikës “Jan Kukuzeli” solli para të pranishmëve këngë patriotike, me rastin e festave. Prefekti i Durrësit Roland Xhelili, solli në vëmendje rëndësinë që kanë këto dy festa në Durrës, Pavarësia që u shpall në 28 Nëntor nga Ismail Qemali, dhe Çirimi i vendit në 29 Nëntor të 1944-s. Xhelili vlerësoi kontributin e patriotëve durrsakë në shpalljen e pavarësisë, konsolidimin e shtetit të ri shqiptar dhe kontributin e madh në luftën nacional-çlirimtare të qytetarëve durrsakë.
Në fund u shpërndanë 9 tituj nderi për pasardhësit e familjeve të LANÇ-it.
/K.H. portali DurresLajm/