Shqipëria hapi sot edhe katër kapituj të tjerë të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian.
Kryeministri Edi Rama publikoi fotoalbumin nga konferenca e sotme ndërqeveritare ku u çel grup-kapitulli Për Agjendën e Gjelbër dhe Lidhjen e Qëndrueshme, si dhe nga takimet në Bruksel, ndërsa e cilësoi ecurinë e shpejtë të këtij procesi një rekord absolut.
Ai theksoi gjithashtu se synimi është që edhe pesë kapitujt e mbetur të hapen brenda këtij viti.
“Krenar për Shqipërinë! Sot në Bruksel, 28 kapituj negociatash të hapur në 11 muaj, rekord absolut. Mbeten edhe 5 dhe duam t’i hapim brenda këtij viti,” deklaroi Rama.
Pas punimeve të konferencës së gjashtë ndërqeveritare BE-Shqipëri, kryeministri Rama zhvilloi konferencën e përbashkët për shtyp me ministren e Çështjeve Europiane të Danimarkës Marie Bjerre dhe komisioneren Europiane për Zgjerimin Marta Kos, ku u theksua se shpejtësia e Shqipërisë për integrimin në BE është mbresëlënëse.
Kapitujt përfshijnë: politikat e transportit (Kapitulli 14), energjia (Kapitulli 15), rrjetet trans-europiane (Kapitulli 21), mjedisi dhe klima (Kapitulli 27)”, të cilat prekin drejtpërdrejt jetën e përditshme të qytetarëve dhe janë faktor transformimi për zhvillimin afatgjatë të vendit.





