LEZHE, 22 qershor 2013 – Shkon për të vjedhur, por joshet nga hiret e gruas së ve dhe tenton ta përdhunojë. Policia e Lezhës ka vënë në pranga 28-vjeçarin Drilon Përduka, nga fshati Tresh, pasi mesnatën e së enjtes, ka hyrë në banesën e një 40-vjeçareje, së cilës i kishte vdekur burri 5 vite më parë, dhe pasi ka vjedhur me dhunë disa sende, ka tentuar ta përdhunojë. Mësohet se 28-vjeçari kishte vjedhur disa bizhuteri floriri dhe dy celularë. Sipas policisë, Përduka ka hyrë në banesën e gruas së ve, nga një prej dritareve, dhe ka tentuar të zhveshë 40-vjeçaren.
E veja ka kundërshtuar 28-vjeçarin Përduka dhe ka nisur të përleshet me të duke ulëritur dhe kërkuar ndihmë tek vëllezërit e bashkëshortit, të cilët, me të dëgjuar kërkesën për ndihmë i janë gjendur pranë kunatës, duke ndaluar edhe maniakun ta përdhunonte. Ka qenë një nga vëllezërit e bashkëshortit të ndjerë të 40-vjeçares që, pasi kanë bllokuar 28-vjeçarin, ka lajmëruar edhe blutë e Lezhës, të cilët kanë arrestuar në flagrancë të riun maniak. Ndërsa në dhomën e gjumit kanë qenë edhe dy fëmijët e mitur të 40-vjeçares, të cilët kanë parë edhe dhunën e ushtruar ndaj nënës së tyre, por në pamundësi për të ndërhyrë, ata kanë bërtitur për ndihmë.
Gjatë marrjes në pyetje nga ana e bluve të Lezhës, gruaja ka treguar se 28-vjeçari e kishte ngacmuar vazhdimisht, por ajo kishte refuzuar kontaktin me të. Ndërsa dje kishte tentuar të kryente marrëdhënie me dhunë me të. Policia ka sekuestruar edhe sendet e vjedhura nga ana e 28-vjeçarit. Ndaj tij rëndojnë akuzat për veprën penale të "Vjedhjes me dhunë" dhe "Marrëdhënies seksuale me dhunë me të rritura", të mbetur në tentativë.





