Këtë herë goditi në shenjë dhe u kthye nga Kajro me medaljen e bronztë në Kampionatin Botëror të Qitjes.

Po flasim për qitësin profesionist Henri Rrufa, që i solli Shqipërisë një rezultat mjaft pozitiv në këtë disiplinë.

“Sapo jam kthyer nga Kampionati Botëror i Qitjes, të mbajtur në Kajro, ku mora medaljen e bronztë. Ky është një rezultat që justifikon punën e palodhshme, vite të tëra sakrifice, por nuk është vetëm rezultati im, pasi kam pasur mbështetjen e trajnerëve, skuadrës dhe miqve.

Kjo është medalja e dytë e marrë në Kampionat Botëror dhe kjo medalje vjen pas 40 vitesh”,- thotë Henri Rrufa për “DurrësLajm”.

Jo rastësisht 28-vjeçari nga Durrësi është aq i përkushtuar në sportin e qitjes, pasi tradita familjare flet shumë në këtë drejtim. Ai është djali i Stefan Rrufës, qitësit kampion dhe presidentit aktual të Federatës Shqiptare të Qitjes.

“Babai im ka qenë qitës, ka qenë kampion. Unë që i vogël, në moshën 10-vjeçare, shkoja dhe angazhohesha, e shihja këtë sport si spektator. Me kalimin e viteve më hipi dëshira që ta provoja dhe unë, pse jo. Në moshën 15-vjeçare mora pistoletën time të parë dhe bëra gjuajtjen time të parë dhe rezultatet vinin gjithnjë në rritje”.  

Palestra e stërvitjes në Pallatin e Sportit “Ramazan Njala” ofron për ekipin e qitjes së Klubit Shumësportësh Teuta kushte optimale për sportistët, në të njëjtat parametra teknikë si jashtë vendit.

Për Henrin dhe qitësit e tjerë të ekipit, ky fakt ndikon së tepërmi në arritjen e rezultateve të larta në kompeticionet kombëtare e ndërkombëtare.

Fitimi i medaljes së bronxtë i ka rritur edhe më shumë pritshmëritë dhe objektivat, që Henri i ka vënë vetes për të ardhmen.

“Kemi një kalendar të ngjeshur vitin e ardhshëm, duke nisur nga shkurti. Do të jemi në Gjermani, ku është një Kupë Bote, më pas është Kampionati Evropian. Nga viti tjetër do përgatitemi fort edhe për Lojërat Olimpike”.  

Por pjesëmarrja në këto gara ndërkombëtare ka kosto dhe për këtë arsye qitësi Henri Rrufa apelon për më tepër mbështetje për sportistët.

“Problemi ynë më i madh është të na mundësojnë rrugën në kompeticionet ku marrim pjesë. Unë kam pasur mbështetjen e madhe të familjes, në rrugët që nuk na i mbulonte shteti”,- thotë qitësi 28-vjeçar.

M.B.