SHKODER,25 tetor 2013 – "Jam penduar për atë që ndodhi. Nuk arrij të gjykoj se si e bëra një veprim të tillë". Kështu ka pohuar 29-vjeçari Ermir Gjergji, ndërsa është marrë në pyetje nga grupi hetimor pas vrasjes së krushkut të tij, Zef Ejlli.
Ngjarja e rëndë ku mbeti i vrarë 67-vjeçari konsiderohet e zbardhur pas arrestimit të autorit të vrasjes brenda pak minutave dhe zbulimit të gjithë dinamikës. I riu gjendet në gjendje të rëndë psikologjike për shkak të vrasjes që ka kryer dhe policët gjyqësorë kanë mundur t'i shkëpusin vetëm disa fjalë. Grupi hetimor sqaron se konflikti mes dy familjeve për shkak të mosmarrëveshjeve të çiftit Albina dhe Arben Ejlli (motrës së autorit dhe djalit të viktimës) ka qenë i hershëm dhe mosmarrëveshjet mes tyre kanë nisur që në Shqipëri.
Pas largimit të tyre në SHBA, situata nuk është rregulluar, përkundrazi, sipas Ermir Gjergjit, ndaj motrës së tij është ushtruar dhunë e vazhdueshme. "Kam kërkuar disa herë që Zefi të flasë me të birin, por asgjë. Atë natë u konfliktuam më shumë dhe nisën dhe sharjet. U ndjeva i fyer në sy të njerëzve që na njihnin", ka deklaruar 29-vjeçari.
/gazeta shqiptare/





