Nga Eduard Zaloshnja

Çdo qeveri e re e fillon punën me një program, në të cilin premtohet përmirësim në çdo sektor të qeverisjes. Por gjatësia e një mandati qeverisës zakonisht nuk lejon që të arrihen rezultate të prekshme nga qytetari i thjeshtë në çdo fushë të qeverisjes, për të mos thënë se disa nga premtimet e fillimit nuk realizohen dot.

Kështu, qeveria e formuar nga Edi Rama ka premtuar 300 mijë vende të reja pune brenda 4 vjetësh, por që të realizohet kjo, do duhet të bëhen të paktën 3 miliard dollarë investime në fabrika të reja, hotele, restorante, sera, stalla, sisteme vaditje, etj. Qeveria e Edi Ramës ka premtuar sherbim mjeksor cilësor për të gjithë shqiptarët brenda 4 vjetësh, por Administrata Obama nuk po e realizon dot këtë as pas 6 vjetësh për të gjithë amerikanët. Qeveria e Edi Ramës ka premtuar një reformë të thellë në arsim, rend e drejtësi, por rezultatet e këtyre reformave, në qofshin të susksesshme, mund të ndjehen pas 10-15 vjetësh nga qytetari i thjeshtë. E kështu me rradhë, mund të themi gjëra të ngjashme për fusha të tjera.

Por sidoqoftë, çdo qeveri mundohet të bëjë diçka që mund të lërë gjurmë brenda një mandati. Për shembull, qeveria e Sali Berishës e la një gjurmë brenda mandatit 2005-09, pavarësisht se KLSH-ja konkludoi se ajo ishte një gjurmë me rreth 220 milion euro pisllëk – rruga Tiranë-Prizren, nga 12 orë, mund të bëhej në 2 orë në fund të atij mandati. Më herët, gjatë qeverisjes së Ilir Metës, në Shqipëri u ndërtuan autostradat dhe superstradat e para. Ndërsa qeverisja e Pandeli Majkos, la gjurmën e pashlyshme të menazhimit me sukses të eksodit biblik të Luftës së Kosovës.

Në ditët e para të qeverisjes së Edi Ramës, u duk se gjurma e shpejtë që ai deshte të linte ishte pastrimi i bregdetit nga ndërtimet pa leje dhe nga ndërtimet me leje jashtë kritreve urbane-zhvillimore, si dhe rregullimi i bregdetit sipas një plani të mirëmenduar zhvillimi. Por deri më sot, janë bërë vetëm disa shembje selektive godinash dhe Agjensia Kombëtare e Bregdetit, e sapokrijuar, duket se do të merret me projekte afatgjata zhvillimi. Ndoshta Rama e ka kuptuar se pastrimi i bregdetit nga mijra e mijra godina, si dhe rregullimi i tij, nuk mund të bëhen aq shpejt e aq lehtë sa pastrimi e rregullimi që ai dikur i bëri Lanës, kur ishte kryebashkiak.

Një gjurmë tjetër që u duk se donte të linte Edi Rama ishte pastrimi i qyteteve nga kërpudhat e kudondodhura të lojrave të fatit. Aksioni i policisë dhe tatimorëve kundër lokaleve të paligjshme të lojrave të fatit (i koduar si “Fundi i Marrëzisë”) u shoqërua edhe me deklarata të forta të Edi Ramës për bllokimin e basteve në internet dhe me premtimin se do të bëhen ndryshime ligjore për të mbyllur eventualisht të gjitha lokalet e lojrave të fatit. Ky premtim pati një përkrahje të madhe në oinionin publik – sipas BAROMETËR24, treçereku i elektoratit urban ishte për mbylljen e të gjitha lokaleve të lojrave të fatit, të ligjshme e të paligjshme.

Por muajt kaluan dhe kërpudhat e lojrave të fatit vazhdojnë të jenë të kudondodhura në qytetet shqiptare, duke vazhduar të krijojnë problemet e njohura sociale në dhjetra mijra familje shqiptare. Si rezultat, treçereku i elektoratit urban, sipas BAROMETËR24, mendon se “Fundi i Marrëzisë” nuk i dha fund marrëzisë.

Kur Sokol Balla pyeti në emisionin e tij Ministrin Tahiri rreth këtij opinioni të qytetarëve, ky i fundit tha se synimi i aksionit kishte qenë mbyllja e lokaleve të paligjshme, e jo i atyre të ligjshme. Por, shtoi ai, qeveria është më se e vendosur për të bërë shumë shpejt ndryshime ligjore, të cilat do të garantojnë mbylljen e të gjitha lokaleve të lojrave të fatit.

Në qoftë se Ministri Tahiri është konsultuar me Edi Ramën para emisionit, mund të thuhet se deklarata e fortë e tij përbën një lajm shumë të mirë për qindra mijra shqiptarë që nuk duan të shohin mijra lokale të lojrave të fatit pranë shkollave e pranë shtëpive të tyre (Në botën e qytetëruar, lokalet e lorjave të fatit, kur lejohen, ndërtohen larg shkollave dhe zonave të banimit).

Një aksion tjetër që ka filluar së fundi qeveria “Rama” është ai kundër vjedhjes dhe mospagimit të energjisë elektrike. Sipas Ministrit Gjiknuri, ato kapin shumën 150 milion dollarë në vit, dhe nëpërmjet task-forcave në çdo qark, do të minimizohen. Por historia 23 vjeçare e tranzicionit ka treguar se aksionet në këtë fushë japin rezultate të përkohshme, të cilat zhbëhen me kalimin e kohës. (Aksioni i fundit ishte ai i Gjergj Bojaxhiut, kur, si drejtor i KESH-it, shkonte me pinca në dorë lagje më lagje e shtëpi më shtëpi. Si rezultat, humbjet e energjisë zbritën në 38%, por tani kanë arritur përsëri në nivelin 50%).

Në qoftë se Edi Rama dëshiron të lërë gjurmë në këtë fushë, duhet të mendojë për një zgjidhje që ndryshon sistemin, jo njerzit – a nuk ishte kjo motoja e tij gjatë fushatës së fundit elektorale?

Eksperienca e Kenias, për shembull, tregon se humbjet në shpërndarjen e korentit u ulën ndjeshëm kur u fut sistemi i parapagesës me celular. (Dega lokale Vodafone në Kenia ka mundësuar që të bëhen pagesa deri në 1000 dollarë me sms dhe jo vetëm për korentin, por edhe për shumë shërbime e produkte të tjera). Eksperienca të ngjashme (me karta parapaguese, për shembull) ka në vende të tjera afrikane, të cilat kishin vështirsi të arkëtonin korentin me sistemin klasik perëndimor të paspagimit.

Duke u kthyer tek teza e fillimit të këtij shkrimi, gjegjësisht, që një qeveri s’mund të lërë dot gjurmë të dukshme brenda një mandati në çdo fushë të qeverisjes, Rama ka shansin të lërë gjurmë të shpejta me projektin e tij 2K – Kumarin & Korentin…

http://www.respublica.al/opinion/2014/01/22/2k-ja-e-edi-rames