GREQI – Agjencia Europiane e Statistikave, Eurostat, tha në një raport të publikuar ditën e hënë se 31% e popullsisë së Greqisë jetonte në kufi të varfërisë në vitin 2011 dhe 15.2% mbijetonte vetëm me të ardhura të pakta. Lajmin e bën të ditur gazeta greke “Ekathimerini”. Në vendet e BE-së Greqia renditet pas Bullgarisë, Rumanisë, Letonisë dhe Lituanisë,  për përqindjen më të lartë të njerëzve të rrezikuar nga varfëria. Pragu i varfërisë është kur të ardhurat e një personi janë më pak se 60% e mesatares së të ardhurave në rang kombëtar.

Në raportin e Eurostat-it thuhet se në vitin 2011, në Greqi jetonin 3.4 milion njerëz në prag të varfërisë ose 31% e popullsisë. Në krahasim me vitet e mëparshme ka pasur rritje. Në vitin 2010 rreth 27.7% e grekëve jetonin në prag të varfërisë, ndërsa në vitin 2008 28.1% e popullsisë.

Në vitin 2011 në BE, 119.6 milionë njerëz jetonin në prag të varfërisë, ose 24.2% e europianëve. Në krahasim me një vit më parë ka pasur një ulje të ndjeshme për sa i përket fuqisë ekonomike të europianëve. Në vitin 2010, rreth  23.4% e europianëve jetonin në prag të varfërisë, ndërsa në vitin 2008, rreth 23,5% e europianëve.

Vitin e kaluar, vendet me përqindjen më të lartë të njerëzve që jetonin në pragun e varfërisë ishin Bullgaria (49%), Rumania dhe Letonia (40%) dhe Lituania (33%). Niveli më i ulët i varfërisë është regjistruar në Republikën Çeke (15%), Luksemburgu dhe Austrisë (17%), si dhe në Vendet e Ulëta e Suedi (16%).

Por çdo të thotë të jetosh në pragun e varfërisë në Greqi. Këta njerëz, të cilët gjenden në vështirësi të tilla ekonomike, nuk mund të përballojnë qiranë, pagesën e kredive, ngrohjen, shpenzime të papritura, të hanë mish apo peshk dy herë në ditë, një pushim 1-javor larg qytetit, një makinë, një lavatriçe, një televizor dhe një telefon. Me pak fjalë, 3.4 milionë grekë nuk mund të përmbushin nevojat jetike bazë, gjë që në BE nuk mund të imagjinohet.

                         Marrë nga Shekulli Online